Bordi i Paqes! Balla ftesë historike! Bardhi: Jemi pro anëtarësimit, por procedura e përshpejtuar shkel Kushtetutën (PS e voton)


Bordi i Paqes! Balla ftesë historike! Bardhi: Jemi pro

KUVENDI

TIRANË- Seanca e sotme në Kuvend, do të jetë e ndarë me disa pjesë, ku pritet që të kalohet me procedurë të përshpejtuar dhe projektligji i depozituar nga qeveria, në lidhje me ftesën e presidentit të SHBA, Donald Trump, që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit të Paqes.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e quajti ftesën një vlerësim historik për Shqipërinë dhe i kërkoi opozitës që t’i bashkohet mazhorancës në votim.

“Sot, Kuvendi i Shqipërisë thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike që shkon përtej rendit të zakonshëm. Republika e Shqipërisë dhe Kryeministri i saj, Edi Rama, janë ftuar të jenë vend anëtar themelues të Bordit të Paqes. Kjo shënon një moment të paprecedentë pozitiv, ku vendi ynë shihet si aktor që kontribuon për paqen dhe jo si pjesë periferike për zgjidhjen e tyre. Kjo nuk është diçka e zakonshme, nuk është formale dhe as simbolike. Në letrën zyrtare, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e cilëson këtë nismë si përpjekje madhore për ndërtimin e paqes, orientuar drejt rezultateve konkrete për të sjellë paqe kudo ku ka konflikte në botë. Prandaj, kolegë dhe kolege deputetë, Bordi i Paqes, sipas kartës që do të shqyrtojmë sot në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, është organizmi i duhur kombëtar që synon stabilitetin dhe ku paqja kudo në botë të jetë e qëndrueshme.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme do të bëjë prezantimin e plotë të kësaj karte dhe përfaqësimin e Shqipërisë nga Kryeministri Edi Rama, duhet ta dimë rëndësinë e fillimit sa më parë të punës së këtij Bordi, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga Kryeministri Edi Rama.

Pikërisht në këtë frymë, Shqipëria jonë është ftuar të jetë, jo më si dikur, si një vëzhguese, por si një bashkë-arkitekte themeluese të një organizmi të ri ndërkombëtar për paqe.

Vota sot do të jetë një test tjetër i konfirmimit të marrëdhënieve me SHBA-në dhe që ne nuk kemi ndasi me njëri-tjetrin. Shpresoj të jetë një votë unanime e të gjithë deputetëve të Kuvendit. Fakti që Shqipëria ftohet si anëtare themeluese, i jep vendit ton një rol aktiv në Bordin e Paqes.

Ky besim nuk është i rastësishëm, por i një udhëheqje të një politike të jashtme të suksesshme. Opozita nuk ftohet për të votuar një parti, nuk po votojmë një mazhorancë apo opozitë, por votohet për Shqipërinë”, tha Balla.

Ndërkohë që kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se opozita është pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, por tha se procedura e ndjekur, ajo e përshpejtuar, është në shkelje të Kushtetutës.

“Jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe i kërkojmë presidentit që të japë miratimin që të hyjë në fuqi menjëherë. Kjo marrëveshje që ne miratojmë pas 12 orëve, hyn në fuqi pas 35 ditëve. Na thoni, ku e ke i urgjencën? Ndërkohë që kemi shansin të respektojmë Kushtetutën. Gjatë kësaj jave i kërkojmë miratimin Preidentit që të na japë autorizimin që ligji të hyjë në fuqi dhe e bëjmë efektive benda një jave. Zbatoni Kushtetutën dhe e bëjmë efektive marrëveshjen brenda 7 ditëve. Pse duhet të shkelni rregulloren, ne jemi kundër kërkesës për procedurë të përshpejtuar”, tha ai.

Pas debateve, Kuvendi miratoi me 80 vota pro dhe 22 vota kundër, kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se me miratimin e kërkesës për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar u vendos që projektligji të diskutohet dhe të miratohet brenda kësaj seance plenare.

Peleshi theksoi se, përpara se të niste shqyrtimi dhe votimi i projektligjit, ishte e domosdoshme mbledhja e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme për shqyrtimin e tij.

Ai bëri të ditur se Komisioni do të ketë në dispozicion 1 orë e 20 minuta për shqyrtimin e projektligjit dhe se në orën 12:00 seanca plenare do të rifillojë për diskutimin dhe miratimin e tij./ZËRI 

Poll



Source link

Scroll to Top