TIRANË– Në një kohë që në Gjykatën Kushtetese është duke u vendosur mbi ankimimin e qeverisë për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, nga Gjykata e Posaçme, vetë politikania socialiste ndodhej në Kuvend, ku pritet të miratohet pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Që pas rikthimit të saj në detyrë me një vendim të ndërmjetëm të Gjykatës Kushtetuese, Balluku ka rimarrë kompetencat e saj në qeveri, ndërsa ka qenë pjesë e seancave plenare, dhe në aktivitete të tjera politike.
Prania e Ballukut në sallën e Kuvendit nuk kaloi pa vëmendje, me deputetin Agron Shehaj, i cili u shpreh që ‘ajo zonja aty duhet të arrestohet”.
Ndërkohë që kreu i PD Sali Berisha, shkaktoi ilaritet në sallë, kur pyeti socialistët nëse ishin të gatshëm që të zëvendësonin Ramën në krye të qeverisë me “Lubi Ballukun”.
“Vetëm një pyetje: A jeni gati ju që Ramaduro t’ia transferojë kompetencat Lubi Ballukut? Na u përgjigjni për këtë pyetje. Po, po. E sheh, e sheh me inat. (I drejtohet Toni Gogut, salla shpërthen në të qeshura). Të gjithë jeni lubistë”, u shpreh Berisha në foltoren e Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot çështjen ndaj zëvëndëskryeministres dhe ministres ministër së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një seancë plenare publike. Në seancë Kushtetuesja do të vendosë për kërkesën e qeverisë për shqyrtimin në themel të çështjes.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së të marrë në nëntor 2025 për pezullimin e Ballukut nga detyra. Në këtë proces do të jenë të pranishëm edhe SPAK, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.
Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me shumicë votash, 5 me 3, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Po në të njëjtën mbledhje, dhe me të njëjtën shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi edhe pranimin e ankimimit të Qeverisë të bërë ndaj kësaj çështjeje. /ZËRI



