VENDIMI- Qeveria i kalon repartin ushtarak “ KF Partizanit” për 1 Euro, fusha futbolli, palestra dhe pishinë


VENDIMI- Qeveria i kalon repartin ushtarak “ KF Partizanit” për

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Këshilli i Ministrave ka miratuar kontratën e qirasë me tarifë 1 euro për kalimin e një reparti ushtarak me hapësirë rreth 12 mijë e 690 metra katrorë tek shoqëria “Partizani” sh.a, me pronar biznesmenin Gaz Demi. 

Vendimi përbën një shtesë dhe ndryshim të Vendimit nr.183, datë 9 mars 2016, i cili parashikonte lidhjen e kontratës së qirasë ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Partizani” sh.a., si qiramarrës.

Pasuria në fjalë është pjesë e pronës nr.4, e njohur si “Reparti Ushtarak nr.4030”, e vendosur në rrugën “Myslym Keta”, Tiranë, dhe ndodhet nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Klubi Partizani mund të vijojë me prishjen e dy godinave të amortizuara dhe me ndërtimin e dy fushave, një pishine dhe ambienteve të tjera ndihmëse për akademinë. Prona do të vijoi të jetë shtetërore, sikurse në përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, ama i jepet me qiera shoqërisë “Partizani” sh.a. 

V E N D I M PËR NJË SHTESË DHE NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.183, DATË 9.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “PARTIZANI”, SH.A., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “AMBIENTE TË PRONËS NR.4, ME EMËRTIM “REPARTI USHTARAK NR.4030, RRUGA “MYSLYM KETA”, TIRANË”, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MBROJTJES”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe të krerëve I, pika 5, shkronja “e”, dhe V, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.183, datë 9.3.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:

1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1.1. Dhënien e miratimit për lidhjen e shtesës së kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Partizani”, sh.a., me NUIS K02322003T, si qiramarrës, për pasurinë e paluajtshme shtetërore nr.3/442 (prona nr.6, me emërtim “Reparti ushtarak nr.6010 (IGJIU), ish-RU nr.7030 (IGJU)”), me sipërfaqe të përgjithshme 12 692.94 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy pikë nëntëdhjetë e katër) m2, në zonën kadastrale 8110, me vendndodhje në Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas dokumentacionit të pronësisë, genplanit dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.”.

2. Në pikën 2, emërtesa “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Poll



Source link

Scroll to Top