TIRANË- Qeveria miratoi dje aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së presidentit Donald Trump në drejtim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa relacioni kalon sot për votim në Kuvend me procedurë të përshpejtuar. Shqipëria bëhet kështu vendi i parë në botë, që miraton ligjërisht pjesëmarrjen në një Bord që ende nuk është ngritur, dhe ku shumë shtete kanë pikëpyetjet e tyre në lidhje me qëndrimin që do të mbajnë ndaj ftesës së Trump. Por pavarësisht procedurës së përshpejtuar, që është nisur nga qeveria, duket se dhe opozita në Shqipëri, i druhet një vote jo, me frikën se një qëndim i tillë do të nxiste një bllokadë të tyre në Uashington, gjithnjë nëse kanë raporte me zyrtarë amerikanë. Edhe pse zëra periferikë nga radhët e opozitës, kanë pretenduar se Rama po shfrytëzon ftesën që i është bërë Shqipërisë, për të pastruar imazhin e tij personal, zyrtarisht Partia Demokratike pritet që të votojë pro pjesëmarrjes së Shqipërisë në bordin e paqes, përfaqësuar nga kryeministri socialist, që në syrin e tyre është një “Ramaduro”.
PD ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e nesërme dhe ka deklaruar votën “pro”, për të treguar mbështetjen ndaj partneritetit me SHBA.
“Pavarësisht shkeljes së rregullores dhe faktit që Rama po përdor këtë nismë për propagandë, ne do të jemi në Kuvend për të votuar PRO, si mbështetje ndaj përpjekjeve të Presidentit Trump për paqen dhe sigurinë globale”, thuhet në deklaratën e grupit parlamentar të PD-së.
Ndërkohë që vetë Berisha, i pyetur për qëndrimin që do ta mbajë PD në Kuvend, u tregua i kursyer me gjketjen e fjalëve, duke deklaruar se opozita Shqiptare mbështet përpjekjet e Trump për të vendosur paqen në Gaza.
“Nuk kam asnjë dijeni për këtë. Unë po informohem nga ju. Parimisht opozita mbështet plotësisht përpjekjen dhe vlerësojmë përpjekjen për paqe në Gaza të presidentit Trump. Nuk di cilat janë asgjë tjetër më shumë se kaq. Të dhënat janë të ndryshme megjithatë”, tha ai.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte më i qaartë në qëndrimin e tij, kur tha se opozita do të votojë pro pjesëmarrjes me të dyja duart, edhe pse deri tani nuk dihet pothuajse asgjë mbi Bordin e Paqes. Sipas tij, precedenti që mund të vendoset në Gaza përmes këtij bordi, ku marrin pjesë edhe vende si Rusia apo Bjellorusia mund të krijojë kosto edhe në Ballkan.
‘Sot Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka diskutuar për Bordin e Paqes dhe është diskutuar se mund të sjellë paqen në Gaza po qe Rama atje. Ne kemi vetëm shfaqje për të rritur një imazh pa thelb. Pyetja e pare është, çfarë do votojmë, mbi ç’logjikë kushtetuese do votojmë? Nuk ka një dokument legal që votohet. Po them që opozita është pro për Bordin e Paqes, por ajo që më intereson si politikan është të kuptoj se mbi çfarë bazash reale krijohet ky bord paqeje? Do votojmë pjesëmarrjen në çfarë? Është akoma ide. Ajo që mund të ndodhë në Gaza përmes këtij bordi, ku ka edhe vende si Rusia apo Bjellorusia…Precedenti që krijohet në Gaza mund të krijojë kosto edhe në Ballkan. Opozita do ta votojë me të dyja duart, por nuk e di çfarë do votojë’, tha Mediu.
Në relacionin që qeveria i dërgoi dje Kuvendit, thuhej se miratimi i projektligjit nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Megjithatë, anëtarësimi në Bord do të shoqërohet në të ardhmen me kontribute financiare vullnetare, të cilat do të përfshihen në buxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe në planifikimet afatmesme buxhetore 2027–2029.
Për zbatimin e projektligjit ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa për zbatimin e marrëveshjes do të përfshihen edhe Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Marrëveshja për themelimin e Bordit të Paqes është iniciativë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetet nga rezoluta nr. 2803 (2025) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së./ZËRI





