U thirr si palë në procesin për Ballukun, Gjykata e Posaçme: Nuk do të shkojmë sot në Kushtetuese


U thirr si palë në procesin për Ballukun, Gjykata e

belinda balluku

TIRANË- Gjykata e Posaçme nuk do të marrë pjesë në seancën që do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese, për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në qëndrimin e GJKKO thuhet se një Gjykatë nuk mund të konsiderohet si palë në një gjykim kushtetues.

Në qëndrimin e Gjykatës së Posaçme thuhet më tej se pjesëmarrja në seancën e sotme në Kushtetuese, do të cënonte ndarjen e pushteteve. “Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e GJKKO për mediat. 

NJOFTIMI I GJKKO

Nisur nga pyetjet e vazhdueshme nga ana e gazetarëve dhe interesi i lartë që ka në media dhe në publik seanca plenare publike që do të zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me:

Kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.

Subjekte të Interesuara: Presidenti i Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Objekti: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave…,

Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.

Bashkëlidhur gjeni të plotë shkresën nr. 5560/1 Prot., datë 29.12.2025, nëpërmjet së cilës GJKKO i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar arsyet ligjore për të cilat kjo gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot çështjen ndaj zëvëndëskryeministres dhe ministres ministër së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një seancë plenare publike. Në seancë Kushtetuesja do të vendosë për kërkesën e qeverisë për shqyrtimin në themel të çështjes.

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së të marrë në nëntor 2025 për pezullimin e Ballukut nga detyra. Në këtë proces do të jenë të pranishëm edhe SPAK, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.

Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me shumicë votash, 5 me 3, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Po në të njëjtën mbledhje, dhe me të njëjtën shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi edhe pranimin e ankimimit të Qeverisë të bërë ndaj kësaj çështjeje. /ZËRI 

Poll



Source link

Scroll to Top