TIRANË- Adriatik Lapaj, kreu i nismës “Shqipëria Bëhet” vijon qëndresën e tij në ditën e 45-të përpara Kryeministrisë. Përmes një postimi në rrjetet e tij sociake, Lapaj njofton se kanë nisur përgatitjen për protestën e 31 Janarit, teksa fton qytetarët që t’i bashkohen masivisht.
Më tej, Lapaj deklaroi se protesta do të shpërndahet në të gjithë vendin, dhe për këtë, do të zhvillojë takime në qytete të ndryshme.
“Sot vazhdon protesta dhe kanë nisur përgatitjet për protestën e 31 janarit. Sot është dita e 45 në këtë rezistencë kundër qeverisë më të korruptuar të Europës, sot vazhdon protesta dhe kanë nisur përgatitijet e protestës së datës 31 janar…Protesta do të shpërndahet në të gjithë vendin. Unë nesër do të nis takime nga shkodra, do të takoj disa qytetarë pasnesër në një qytet tjetër për ti ftuar në protestën e datës 31 janar. Nesër do të jem në Shkodër, pasnesër në një qytetër tjetër, e me radhë. Duhet që të keni forcë dhe guxim. E drejta gjithmonë fiton, duhet që të luftohet për të drejtën”, tha Lapaj.
Që prej datës 8 dhjetor, Adriatik Lapaj është “ngujuar” poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama. Ai e nisi protestën vetëm, por dhjetra qytetarë i janë bashkuar rezistencës, e cila, sipas Lapajt, do të zgjasë deri në rrëzimin e qeverisë.
Gjatë kësaj periudhe, Lapaj hera herës ka thirrur protesta masive, të cilat kanë kulmuar me përplasje me policinë, ndërsa disa prej qytetarëve janë vënë në pranga, e më pas liruar me vendim gjykate. Deri tani Lapaj ka refuzuar që t’iu bashkohet protestave të thirrura nga Partia Demokratike, ndërsa Sali Berishën e konsideron palë në korrupsion./ZËRI



