TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë, aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, pas ftesës së presidentit amerikan Donald Trump. Pas miratimit nga qeveria, ditën e nesërme do të zhvillohet seancë plenare në Kuvend, në orën 10:00, për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.
Sipas urdhrit të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca do të mblidhet me kërkesën e një të pesta të deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
“I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 22.1.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
Njoftime.
Projektligji “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, paraqitur nga Kryeministri, Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Edi Rama pranoi ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, teksa në përgjigje e falenceroi dhe shprehu gatishmërinë e tij. Në letrën e tij, Rama njofton se angazhim i Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit do t’i përcillet së shpejti Kuvendit për miratim.
Pas ftesës për Shqipërinë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se edhe ajo ka marrë ftesë për ta përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën, si anëtare themeluese. Osmani deklaron se ndihet e nderuar dhe shprehet se Amerika i solli paqen Kosovës dhe qëndron si aleat i palëkundur pranë saj.
Organizata Bordi i Paqes ka ftuar udhëheqësit e rreth 60 vendeve, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Bordi i Paqes përfshin liderë ndërkombëtarë dhe figura kyçe globale, me synimin për të trajtuar si pasojat e menjëhershme të konflikteve, ashtu edhe shkaqet e thella strukturore që prodhojnë paqëndrueshmëri.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët këtë muaj planet për krijimin e një Bordi për Paqen (Board of Peace) për të mbikëqyrur zbatimin e një plani 20-pikësh për Gazën./ZËRI





