TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka prezantuar sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal.
Ministri theksoi se projektligji nuk është një ndërhyrje thjesht teknike, por një hap i rëndësishëm dhe rezultat i një analize të thelluar të problematikave reale në terren dhe i harmonizimit të plotë me standardet e Bashkimit Evropian. Sipas ministrit, kjo paketë lidhet drejtpërdrejtë me Kapitullin 24 të negociatave “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Projekligji i ri parashikon ndryshime, ashpërsim masash, që nga mbrojtja e tw miturve, zjarrvënia, ndërtimet pa leje dhe parkimi.
“Ndryshimet përafrojnë legjislacionin penal shqiptar me shtatë instrumente kyçe të BE-së, që lidhet konkretisht luftën kundër pastrimit të parave, trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore, terrorizmit, shfrytëzimit seksual të fëmijëve, si dhe mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian.
Një vëmendje e veçantë në këtë paketë i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve vulnerabël, përmes ashpërsimit të veprave penale me natyrë seksuale, rritjes së dënimeve, zgjatjes së afateve të parashkrimit dhe ndalimit të ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt me fëmijë. Po ashtu, garantohet trajtimi i viktimave të mitura sipas standardeve më të larta të mbrojtjes. Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, projektligji gjithashtu përjashton çdo efekt justifikues të pëlqimit të viktimës si element justifikues dhe duke kriminalizuar përdorimin e shërbimeve të ofruara nga viktimat e trafikimit.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e këtyre ndryshimeve është mbrojtjen e territorit dhe interesit publik. Projektligji ashpërsuon ndëshkimet për zënien e paligjshme të tokës, ndërtimet pa leje dhe shfrytëzimin e paligjshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura, pasuri kulturore dhe infrastrukturë kritike, sidomos kur këto vepra kryhen nga funksionarë publikë.
Po ashtu, forcohet ndjeshëm kuadri penal për zjarrvënien në pyje dhe mjedise natyrore, veçanërisht kur rrezikohen zona të banuara, si dhe kur zjarrvënie përdoret si mjet për ndryshimin e destinacionit të tokës.
Projektligji ndërhyn edhe te një fenomen tjetër i përditshëm, por me pasoja serioze për sigurinë publike që ka të bëjë me parkimin në rresht të dytë. Kjo do të trajtohet si vepër penale në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe mjetet e emergjencës.
Një risi e rëndësishme është edhe forcimi i mbrojtjes së gazetarëe dhe lirinë e medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.
Të nderuar deputetë ky projektligj përforcon një reformë të guximshme, të balancuar dhe të domosdoshme. Ajo jo vetëm të ndëshkojë më fort krimin, por edhe parandalimin dhe garantimin e sigurisë për qytetarët, duke ndërtuar një sistem penal modern dhe plotësisht të përputhshëm me standardet evropiane.”



