“Zoti e di si vij në zyrë në 21 Janar”, Rama me familjarët e viktimave: Guri sa vjen dhe bëhet më i rëndë, ju që ishit fëmijë po bëheni prindër…


“Zoti e di si vij në zyrë në 21 Janar”, Rama me

edi rama dhe ana veizi

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, ka mbledhur sot familjarët e viktimave të 21 Janarit, në 15 vjetorin e tragjedisë, ku në Bulevardin Dëshmorët e Kombit mbetën të vrarë katër protestues. Rama hodhi akuza në drejtim të drejtësisë shqiptare, që sipas tij çdo vit që kalon, thellojnë dhimbjen e familjarëve. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se asnjë protestues nuk kishte armë me vete, ndërsa shtoi se mbi ta u hodh gaz lotsjellës nga një autoblindë, teksa qytetarët ishin duke u mbledhur për tubim.

“Kujtoj se bashkë me Pandeli Majkon dhe disa të tjerë po kalonim urën e bulevardit për të ardhur këtu, një autoblind u shfaq dhe një valë gazi lotsjellës u lëshua mbi kokat e njerëzve pa nisur ende protesta, duke na zmbrapsur nga parku Rinia. Kjo e ktheu protestën në një lëmsh kaotik, duke na detyruar të ktheheshim në selinë e partisë.

Protesta doli jashtë kontrollit. Vatrat e zjarrit u ndezën, protestuesit nuk tentuan të kapërcenin gardhin e godinës së Kryeministrisë, veç një veturë që u filmua duke hyrë në portën anësore të hekurit. Askush nga protestuesit nuk bëri përpjekje për të shkelur perimetrin e sigurisë dhe të futej brenda në godinë. Asnjë pamje filmike nuk nxori në pah praninë e një arme në radhët e protestuesve”, u shpreh Rama.

Ana Veizi, vajza e Ziver Veizit, i cili mbeti i vrarë në protestën e 21 Janarit të 15 viteve më parë, u shfaq e përplotur, gjatë fjalët të kryeministrit Edi Rama, në kujtim të 4 viktimave. “Zoti e di me çfarë guri në zemër unë vij në këtë godinë, kur del drita e ditës së 21 Janarit. Është një gur që sa vjen dhe bëhet më i madh…”, u shpreh mes të tjerave Rama, teksa Ana Veizi u pa e perlotur. 

“Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe që më tregon përmes një sekëlldie të madhe se sa më i madh bëhet në çdo 21 janar zhgënjimi juaj të dashur familjarë të katër dëshmorëve, hidhërimi juaj, pengu juaj, për mosardhjen e drejtësisë. 15 vjet pa drejtësi për 21 janarin, janë 15 vjetët e një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar. Ndërsa për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vjetët e këtij boshllëku janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dhe poshtërim. Atyre që ndër ju ishin gjyshër, u ka ardhur koha për tu bërë stërgjyshër. Atyre që ishit fëmijë u ka ardhur koha për t’u bërë prindër. Ndërsa atyre katër copave të shpirtit tuaj nuk u ka ardhur koha ende të prehen qetë, sepse as përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë, as pavarësimi i pushtetit gjyqësor dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë së individëve të veshur me pushtet politik nuk kanë mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë për 21 janarin”, tha Rama.

Më tej Rama shtoi se, “Nuk ka mjaftuar as vendimi nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut më shumë se dy vjet më parë që prokurorët speciale të kësaj republike t’ia kishin kërkuar deri tani gjykatës speciale drejtësinë për katër vrasjet shtetërore të 21 janarit ndërkohë që në emër të drejtësisë dhe vetëm drejtësisë, të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe të barazisë së secilit para ligjit prej plot gjashtë vjetësh ne u bëjmë atyre veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetes dhe vetë presidentit të Republikës, pa llogaritur justifikim me durim dhe heshtje nga ana jonë, të gabimeve të tyre ndonjëherë tejet shqetësuese si gabime të rritjes së një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës”.

21 Janar 2011, 4 protestues mbetën të vrarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në një protestë të socialistëve në opozitë, që kërkonin rrëzimin e qeverisë Berisha pas videoskandalit Meta- Prifti. Sot 15 vite më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar, por personazhet e asaj ngjarje tragjike mbeten në skenën politike, edhe pse një pjesë e tyre kanë ndryshuar rolet. Pas zvarritjes në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, për familjarët e viktimave u shfaq një rreze shprese, me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, që i kërkoi shtetit shqiptar hetimin e plotë të ngjarjes.

Tashmë çështja është rihapur nga Prokuroria e Posaçme, e përpara prokurorit Alfred Shehu, janë rrëfyer një sërë politikanësh e shtetarësh me pozitë të kohës, që nga ish-kryeministri Sali Berisha, te ish-presidenti Bamir Topi, dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Ndërkohë që ‘shkaktari’ që çoi në protestën e dhunshme, ish-presidenti Ilir Meta, ka dëshmuar në SPAK me kërkesën e tij, për protestën e 21 Janarit, për skenarin e dhunshëm të së cilës, sipas tij kanë qenë në dijeni dhe përfaqësitë diplomatike në Tiranë.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top