Sot seanca në Kushtetuese për rritjen e pagave të gjyqtarëve, Rama: Mos transmetimi live farsë e shëmtuar, respekte për SPAK që…


Sot seanca në Kushtetuese për rritjen e pagave të

edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj seancës së sotme të Gjykatës Kushtetuese, e cila po shqyrton kërkesën e dy shoqatave të gjyqtarëve për rritjen e pagave. Përmes një postimi në platformën “X”, Rama e cilëson procesin si një precedent të rrezikshëm dhe një ‘farsë të shëmtuar’, duke theksuar se seanca po zhvillohet pa transmetim të drejtpërdrejtë.

Kreu i qeverisë nënvizon se gjyqtarët janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, ndërsa shprehet se shpreson që Gjykata Kushtetuese të mos lejojë që të ndodhë ajo të cilën ai e quan ‘një turp kombëtar’.

Postimi i plotë i Ramës:

Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!

Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar!

Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka reaguar për mos transmetimin live të seancës plenare publike për çështjen e rrogave të gjyqtarëve, duke theksuar se kjo ka ndodhur për shkak të një problemi teknik dhe seanca mbetet në zhvillim.

Njoftimi i plotë:

Në përgjigje të interesit tuaj, ju informojmë se seanca plenare publike e parashikuar sipas kalendarit zyrtar të Gjykatës Kushtetuese per daten 20 janar 2026 është ende duke u zhvilluar.

Për shkak të një problematike teknike të evidentuar më herët dhe që vijon të jetë në proces verifikimi, transmetimi i saj “live stream” nuk mund të realizohej.

Gjykata Kushtetuese mbetet e angazhuar për garantimin e transparencës, brenda mundësive teknike ekzistuese”, shkruan Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë, pas 7 orësh, ka përfunduar seanca në Kushtetuese për rritjen e rrogës së gjyqtarëve, ndërsa trupa gjykuese tërhiqet për vendim. Në këtë seancë janë dëgjuar të gjitha palët, Unioni dhe Shoqata e gjyqtarëve, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi.

Gjqytarët kanë kërkuar rritje të pagave, duke kërkuar që rroga e tyre të rritet për rreth 7000 euro në muaj. Kërkesa e tyre është bërë për herë të dytë brenda 3 viteve, duke shkaktuar reagime të forta kryesisht nga kryeministri Edi Rama, i cili është përfshirë herë pas herë në replika me ta, duke e cilësuar kërkesën e tyre si abuzive. Kërkesa e 3 marsit të kaluar e Unionit të Gjyqtarëve, po shqyrtohet sot në Gjykatën Kushtetuese prej orës 10:00 të paradites./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top