TIRANË-Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është zhvilluar me debate. Në mbledhje, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla i është drejtuar demokratëve, se nëse nuk bashkëpunojnë për arritjen e reformës zgjedhore dhe asaj territoriale do të vazhdojnë punën vetëm.
Nga ana tjetër deputetja e PD-së Ina Zhupa, u shpreh se asnjë nga kërkesat e opozitës nuk është pranuar, duke listuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, mocion me debat për problemet e shqiptarëve dhe interpelanca me kryeministrin.
Taulant Balla: Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, një Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër. Por duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund t’i bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni “tërhiqemi nga komisionet”, kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën edhe pa ju. Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE-së: partitë votohen, partitë numërojnë. Gjithashtu, të gjithë ia themi njëri-tjetrit, majtas-djathtas, në ato netë pafund të numërimit në pallatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër; pse jo, të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.
Fakti është se, qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më, as për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Reforma zgjedhore, sa i përket Kodit Zgjedhor, kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë, e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë. Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka një indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar: koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, ndërsa shumica, bashkë me Qeverinë, 40 orë diskutime në seancë plenare.
Ina Zhupa: Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës. Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë. Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, teksa ju tha: ju mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje. Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona.
Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, ju e shkelni. Opozita kërkon mocion me debat për problemet e shqiptarëve, ju e mohoni. Opozita kërkon interpelanca me kryeministrin, ju s’i lejoni. Për çfarë flisni atëherë? Mjafton të shikosh edhe këtë projekt-kalendar: asnjë nga projektligjet e deputetëve të opozitës nuk ka një datë për shqyrtim. Zero, asnjë, sa për sy e faqe. Data kanë vetëm projektligjet e qeverisë dhe ato të deputetëve tuaj, që nuk i kanë bërë as vetë, por i sjellin të qeverisë për të shmangur procesin e konsultimit publik. S’keni as guxim t’i fusni dhe t’i rrëzoni, sepse nuk thoni dot publikisht që kundërshtoni interesin qytetar. Rri në sirtar projektligji im për pagat e mësuesve, heqja e 5-mijë lekëshit të kategorisë. Nuk e fusni, sepse nuk e rrëzoni dot, por as nuk e miratoni, sepse s’ju lë qeveria. Ky është realiteti i një parlamenti që nuk respekton asgjë dhe nuk ka asnjë rol përtej dëshirave dhe vullnetit të Edi Ramës



