TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e “Bordit të Paqes”, një strukturë e re që do të merret me qeverisjen e përkohshme dhe rindërtimin e Rripit të Gazës pas luftës.
Në një reagim publik, Rama u shpreh se kjo ftesë përfaqëson një vlerësim të veçantë për rolin dhe pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë, duke e cilësuar si një arritje të rëndësishme në marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.
Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të.”- shkruan Rama.
Sipas BBC, Shtëpia e Bardhë ka publikuar emrat e Bordit Ekzekutiv themelues, i cili do të drejtohet nga vetë Trump, i cili do të mbikëqyrë punën për administrimin e Gazës.
Në përbërje të bordit bëjnë pjesë:
-Ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair,
-Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio,
– Idërguari special për Lindjen e Mesme Steve Ëitkoff,
-Dhëndri i Trumpit Jared Kushner,
-Miliarderi Marc Roean,
-Presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga
-Këshilltari për sigurinë kombëtare Robert Gabriel.
BBC thekson se në këtë fazë në bord nuk ka asnjë grua dhe asnjë palestinez, ndërsa pritet që emra të tjerë të shtohen në javët në vijim.
Përfaqësues i bordit në terren në Gaza do të jetë ish-i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, i cili do të mbikëqyrë një komitet teknokratësh palestinezë për administrimin e përditshëm të territorit pas luftës./ZËRI



