DURRËS- Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një takim me kryebashkiakët në Golem. Në fokus të këtij takimi janë sfidat e bashkive për vitin 2026, sezoni turistik dhe betejat e përbashkët politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike. Në nisje të fjalës së tij, Rama është ndalur tek përmbytjet e fundit në vend, duke theksuar edhe një herë se përpos shkaqeve natyrale dora e njeriut i ka dhënë ‘një shtysë’ më shumë. Sipas kreut të qeverisë, një ndër shkaktarët janë edhe mbetjet që hidhen kudo duke cilësuar një ‘krim qytetar-shqiptar’.
Sakaq, Rama paralajmëroi marrjen e masave të shpejt dhe njoftoi krijimin e një task-force qeveri–pushtet vendor.
“Para disa ditësh, kryetarja e Bashkisë së Durrësit më dërgoi një video që tregonte se si po mbushej pika në Shkozet, pasi ishte ripastruar në kushte bllokimi. Kur gjendemi përballë kësaj situate agresioni plastik, që është drejtpërdrejt ndikim i njeriut, duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët dhe për të përfshirë sa më shumë komunitetin, në mënyrë që ta vëmë nën kontroll këtë faktor kaq të dëmshëm. Plastika derdhet në det dhe shkakton dëme të pariparueshme për jetën detare dhe për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë gjithçka për ta ndalur këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare. Ky është një krim shqiptar. Nuk duhet të kërkojmë fajtorë te turistët spanjollë, japonezë apo gjermanë. Duhet të marrim masa konkrete dhe për këtë arsye i kam kërkuar ministrit të Pushtetit Vendor të ngrejë një task-forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, për të konceptuar një plan me tre faza, që nga sensibilizimi deri te veprimi konkret”, tha Rama.
/ZËRI



