ABU DHABI- Kryeministri Edi Rama, ka qenë i pranishëm në Forumin Ekonomik në Abu Dhabi, ku tha se Shqipëria është duke bërë hapa të rëndësishëm sa i takon energjisë së gjelbër. Ai u shpreh se ka një projekt mes Shqipërisë, Emirateve të Bashkuara dhe Italisë, që kushton mbi 1 miliard euro. Sipas tij, me anë të këtij projekti, Tirana do i shesë Europës energji të gjelbër.
“Në fund të vitit 2028, do të jemi plotësisht sovran, duke mos blerë energji nga jashtë. Ambicia jonë është që bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italisë, t’i shërbejmë Europës me energji të gjelbër, për t’ia shitur Europës. Është projekt mbi 1 miliard”, tha Rama.
Më tej, Rama u pyet në lidhje me përfshirjen e Inteligjencës Artificiale, në çështje të qeverisjes. Rama deklaroi se tashmë 95% e shqiptarëve marrin shërbime online dhe se janë hequr shërbimet në zyra. Kreu i qeverisë përmendi edhe ministren Diella, duke thënë se Shqipëria tashmë ka një ministre, e cila vepron si asistente online.
“E kemi nisur këtë punë tashmë, në përpjekje për të nxjerrë më të mirën nga teknologjia digjitale. Ajo na lejoi të transferonim mënyrën e shërbimit të administratës, 95% e shërbimeve merren online. Nuk ka më zyra në Shqipëri, nuk ka radhë dhe kohë të humbur, e merr shërbimin online, kudo që ti je. Ne po e përdorim AI-në edhe që ligjet tona, të jenë në përputhje me ligjet e Bashkimit Europian. Që të hysh në BE duhet të bësh ligje të njëjta. Për të gjitha vendet, kjo ka qenë një punë tepër e madhe, ndërsa ne me Inteligjencë Artificiale, e bëjmë shumë shpejt dhe saktë.
Ne kemi edhe një ministre të Inteligjencës Artificiale, kemi një doktor sultan që është grua, është asistente virtuale. Ajo punon për shërbimet, për diçka që në besojmë do të jetë e fjalës së fundit, për prokurimet publike, për të hequr njerëzit nga procesi. U frymëzova nga një profesor që drejtoi Malin e Zi disa vite më parë, në një darkë mes miqsh, dhe ai bëri një rritje pensionesh që tronditi FMN-në, dhe në fakt u çuditën si e kishte bërë, dhe ai tha bëje…”, deklaroi Rama./ZËRI



