TIRANË-Qeveria ka krijuar një shoqëri aksionare 100% shtetërore për shërbimin e sterilizimit, ndërsa kontrata koncesionare ekzistuese është nën hetim nga SPAK. Vendimi 845 i Këshillit të Ministrave, i marrë më 30 dhjetor 2025, është publikuar ditën e sotme në Fletoren Zyrtare.
Sipas dokumentit shoqëria e re, me emrin “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit” (OSHIS sh.a.), do të ketë një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, të financuar nga buxheti i vitit 2026 i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Modeli i ri parashikon që shërbimet të ofrohen për të gjitha spitalet publike universitare, rajonale dhe bashkiake në vend.
Sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale konsiderohet një funksion thelbësor i çdo spitali publik, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e pacientit dhe praktikën mjekësore të përditshme, dhe për dekada është realizuar nga struktura të brendshme spitalore pa nevojën e një operatori të veçantë juridik.
Ndërkohë dosja “Sterilizimi” është në gjykim. Të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj përballen me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj po gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh./ZËRI



