TIRANË-E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn ka zhvilluar një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji. Van Horn ka shprehur mbështetjen për institucionet e drejtësisë, teksa i ka paraqitur kryetares së Kushtetuese prioritetet e Presidentit Donald Trump. Një prej tyre është goditja e rrjeteve të trafikut të drogës. Gjykata Kushtetuese sipas Van Horn ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sistemit ligjor dhe të drejtën.
“Sot, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji dhe diskutoi se si mbështetja afatgjatë e Shteteve të Bashkuara për institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri çon përpara prioritetet e Presidentit Trump: çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane. Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët shqiptarë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj dhe duke ruajtur një sistem ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm, në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.



