Rritja e çmimit të sigurimit të makinave, shpërthen Braçe dhe nxjerr faturat: Abuzim ndaj qytetarëve, AMF favorizon kompanitë


Rritja e çmimit të sigurimit të makinave, shpërthen

erion brace

TIRANË- Rritja e çmimit të sigurimit të automjeteve ka rritur shqetësimin e qytetarëve, ndërsa deputeti socialist Erion Braçe e ka cilësuar si një abuzim ndaj tyre. Përmes një video-mesazhi, Braçe ka ngritur shqetësimin e qytetarëve, duke theksuar se çdo ditë përballet me ankesat e tyre, pasi këta të fundit po paguajnë çmime më të larta për sigurimin e makinës.

Braçe ka bërë publik rastin e një qytetari, i cili i ka dërguar faturën e policës së sigurimit, e cila ishte rritur mbi 20 mijë lekë, edhe pse kishte një vit pa asnjë aksident.

Deputeti kujton se kjo është një situatë të cilën ai vetë e kishte paralajmëruar më herët në Kuvend gjatë muajit nëntor. Sipas socialistit, rregullorja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për faktorët e riskut është e pabalancuar dhe favorizon kompanitë e sigurimit, pa shpërblyer drejtuesit korrektë të mjeteve.

Postimi i plotë i Braçes: 

‘Në punë, në Kuvend, përgjigjja e njerëzve: Erion, nuk ka bonus, çmimi i polices së sigurimit të një makine u rrit, nuk u ul! Këto janë blerjet e një qytetari, mi dërgoj ai, mu betua se nuk kishte bërë asnjë aksident një vit më parë, por çmimi ju rrit në mbi 20 mijë lekë!

Këtë paralajmërova në Kuvend në nëntor, rregullorja e AMF për faktorët e riskut me efekt mbi çmimin e një policë sigurimi është e shbalancuar në favor të kompanive dhe nuk shpërblen ata që sillen ligjshëm e mirë në rrugë; një marrëveshje e ndaluar mes kompanive të sigurimit zhbën edhe këtë rregullore!

Sot mësova në Kuvend se rezolutat e komisionit të ekonomisë për AMF dhe Autoritetin e Konkurrencës, janë hequr nga rendi i ditës; propozonin mbrojtjen e qytetarëve që kanë një makinë nga abuzimi i kompanive te sigurimit!

Ky është rasti tipik kur parlamenti zhvlerëson veten; zhbëhet plotësisht roli i parlamentit në procesin kontrollues të ushtrimit të pushtetit e zbatimin e strukturës rregullatore, veçanërisht në funksionimin e tregjeve e mbrojtjen e qytetarëve nga fuqia e tyre-tregjeve.

Zbehet roli i komisioneve parlamentare, Komisionit të Ekonomisë në këtë rast që rrëzohet keq, thyhet, para abuzimit të tregjeve dhe kapjes së autoriteteve rregullatore! Nuk ka më keq se sa të mos mbrosh njerëzit që të kanë zgjedhur!

Rritja është rezultat i ndryshimeve në mënyrën se si llogariten çmimet dhe faktorëve të rinj të riskut që po zbatohen nga kompanitë e sigurimit sipas rregullave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Nga 1 janari i vitit 2025 u fut një rregullore e re bazuar në një listë faktorësh që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme nga drejtuesit e mjeteve. Nga janari 2026, siguracionet e makinave do të ndryshojnë ndjeshëm për të gjithë drejtuesit e mjeteve në Shqipëri. Sistemi i miratuar ‘bonus-malus’ në vitin 2025, hyn më në fund në fuqi pas një viti “prove” që u konsiderua si vit zero./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top