TIRANË- Intervista e fundit e Arben Ahmetajt, dhenë për gazetarin Çim Peka, nuk ka kaluar pa vëmendje në rrjet edhe jo vetëm, sa për faktin e akuzave që ai ngre tashmë për ish-shefin e tij Edi Rama, po aq dhe për rolin që vetë ai ka pasur në kabinetin e këtij të fundit. Arben Malaj, ish-shefi i dikurshëm i Arben Ahmetajt, në Ministrinë e Financave në vitet 1997-1998, shprehet se Ahmetaj i jep vetes merita të paqena për rolin që ka pasur përgjatë viteve 1997-2005, duke e paraqitur veten si Ministër të Financave, kur në fakt ka qenë në rol mbështetës dhe jo vendimmarrës. Nga ana tjetër Malaj e akuzon Ahmetajn për shkarkimin e tij nga posti i anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, me porosi të Edi Ramës.
“Fakt i dokumentuar është edhe ai që Ahmetaj vrapoi t’i bënte qejfin Edi Ramës dhe mori përsipër shkarkimin tim publik si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke kryer edhe shkelje të rënda proceduriale dhe duke cenuar parime themelore institucionale. Ironikisht, gjatë po asaj seance,po ate ditë Ahmetaj u ‘gradua” ministër shteti”, shkruan mes të tjerave Malaj në postimin e tij. Megjithatë ai shpreh shqetësim për Ahmetajn, në rast se indiciet për rrezikun që i kanoset sigurisë së tij dhe familjarëve janë reale.
POSTIMI I PLOTË I MALAJT
Përshendetje, e kuptoj, por nuk e mirëkuptoj dot ish-kolegun tim Ahmetaj, i cili edhe sot paraqitet publikisht si “kryereformatori” i Shqipërisë dhe si ministri real i Financave për periudhën 1997–2005.
Ky vetëprezantim nuk përputhet me faktet dhe as me realitetin institucional të asaj kohe.
E kam këshilluar edhe drejtëpërdrejt, edhe në telefonatat që më ka bërë nga Zvicra, që të mos deformojë faktet dhe të mos e rrisë artificialisht statusin dhe kontributin e tij në ato vite. Për vitet në qeveritë Rama, nuk bëj dot nje analize apo edhe vleresim për rolin dhe kontributin e tij.
Suksesi në përballjen e suksesshme me krizën e skemave piramidale ne 1997 nuk ishte dhe nuk mund të ishte sukses individual i askujt.
Ai ishte rezultat i një pune kolektive, i një ekipi thellësisht profesional dhe bashkëpunues të Ministrisë së Financave dhe i këshilltarëve që u përzgjodhën prej meje mbi baza strikte profesionale, në kushte jashtëzakonisht të vështira për vendin.
Pa dyshim, shefi i kabinetit ku shërbeu Ahmetaj. Vetem ne periudhen e pare timen si Minister i Financave Mars 1997-Tetor 1998, kishte një rol të rëndësishëm për funksionimin e përditshëm të ministrisë dhe për sukseset e ministrit, të cilat u shndërruan në suksese të vendit.
Por ky rol ishte ndihmës dhe mbështetës, jo përcaktues, dhe aq më pak autorësor në reformat dhe vendimmarrjet kyçe të asaj periudhe.
Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe këtë raport është shtrembërim i (jo)qëllimshëm i historisë institucionale.
Nesër (sot) do të bëj të plotë qartësimin e kësaj mospërputhjeje, të cilën Ahmetaj e deformon në shumë raste, madje edhe pas këshillës sime të drejtpërdrejtë dhe të përsëritur.
Kjo “mospërputhje” midis nesh nuk lidhet vetëm me këtë fakt dhe as nuk është thjesht çështje interpretimi personal.
Jam shprehur publikisht edhe për shqetësimin real për sigurinë e tij personale dhe familjare.
Fakt i dokumentuar është edhe ai që Ahmetaj vrapoi t’i bënte qejfin Edi Ramës dhe mori përsipër shkarkimin tim publik si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke kryer edhe shkelje të rënda proceduriale dhe duke cenuar parime themelore institucionale.
Ironikisht, gjatë po asaj seance,po ate ditë Ahmetaj u ‘gradua” ministër shteti.
Ndjesë, por edhe unë, njësoj si Ahmetaj, flas për historinë ekonomike të Shqipërisë dhe jo për vetveten.
Heshtja përballë deformimit të fakteve nuk është as korrektësi dhe as përgjegjësi publike.
Shume ndjese, por e ndjej detyrim etik dhe institucional te mbroje te verten dhe veten te verteten e aktoreve dhe faktoreve te asaj pjese shume kritike te tranzicionit, e manaxhuar ne menyre te sukseshme nga ekipi I Ministrisë së Financave./ZËRI



