Shqipëria me qeveri teknike dhe Lea Ypi në krye të saj?


Shqipëria me qeveri teknike dhe Lea Ypi në krye të saj?

Lea Ypi

TIRANË- Prej disa ditësh në rrjet po qarkullon një ide: një qeveri teknike me në krye profesoreshën e teorisë politike, njësisht filozofen dhe autoren shqiptare me famë ndërkombëtare Lea Ypi. Por çfarë deklaron ajo vetë? A e mendon angazhimin e drejtpërdrejtë në politikën shqiptare?

E ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Ypi tha se momentalisht është e përqendruar te librat dhe puna akademike, dhe se deri tani nuk e ka menduar veten si pjesë e politikës, por nuk e përjashton totalisht si mundësi.

“Mendoj që ne të gjithë jemi të angazhuar në politikë, në kuptimin e pushtetit. Pushteti merr forma të ndryshme dhe unë deri tani nuk kam interes ose ambicie të ushtroj pushtet në kuptimin e vendimmarrjes institucionale. Ka forma të tjera në të cilat njeriu mund të kontribuojë në shoqëri, dhe nuk është e thënë që dikush që është intelektual i mirë apo gazetar i zoti të jetë edhe politikan i mirë. Për momentin prioritetet e mia janë librat, shkrimi dhe angazhimi me lexuesit. Nuk dua as të hap, as të mbyll këtë mundësi”,- u shpreh Ypi.

Paralelisht, emri i Ypit u komentua edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët. Berisha e vlerësoi Ypin si shkrimtare të njohur, pa e përjashtuar plotësisht si kandidaturë, por theksoi se kryeministri i një qeverie teknike duhet të ketë mbështetjen e të gjitha palëve.

“I kam lexuar, por nuk mund të bëj një koment. Ajo është një shkrimtare e njohur me veprat e saj. Nuk kam dijeni për pretendimet e saj. Por qeveria teknike duhet të jetë një qeveri që besohet dhe mbështetet nga të gjitha palët”, -tha Berisha.

Sa i përket situatës politike në vend, Ypi shprehu shqetësime për mungesën e debatit ideologjik. Sipas saj, Shqipëria aktualisht nuk ka as të majtë, as të djathtë në kuptimin tradicional, dhe ideologjia dominante është ajo e integrimit në Bashkimin Europian.

“Integrimi europian e bën politikën më tepër teknokratike, sepse nuk diskutohen çështje themelore. Debati është për datat dhe kriteret për t’u futur në Europë, por nuk ka diskutim mbi atë çfarë është Europa. Kjo depolitizon politikën, pasi përgjigjet vijnë nga Bashkimi Europian dhe procesi i integrimit”, -u shpreh Ypi.

Ajo nuk la pa kritikuar as partinë në pushtet: “Partitë që qeverisin, si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të tjera të Europës, shpesh janë të lidhura me tregjet ndërkombëtare financiare ose grupe oligarkike të brendshme. Nuk bëjnë politika të majta në kuptimin e rishpërndarjes së pasurisë apo fuqizimit të sindikatave, siç do të pritej nga e majta tradicionale socialdemokrate”– përfundoi Ypi.

Në një kohë kur emri i saj përflitet për kryeministre teknike, Lea Ypi duket e qartë: për momentin, prioritet mbeten librat dhe puna e saj akademike, ndërsa politika mbetet një mundësi e hapur për të ardhmen./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top