
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar zhvillimet e fundit në Venezuelë, duke e quajtur një lajm të mirë, teksa e lidhi situatën edhe me politikën shqiptare duke kërkuar largimin e “Ramaduros”. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, në daljen e tij të parë publike për vitin 2026, Berisha deklaroi vazhdimin e protestave në vend, duke e cilësuar si rrugën e vetme për të luftuar qeverinë aktuale. Sipas Berishës, arrestimi i Maduros nga SHBA është një ikurajim edhe për opozitën shqiptare, pasi sipas tij “regjimi nuk ikën me votë”.
“Por është një lajm shumë i mirë edhe për shqiptarët, të cilët përjetojnë regjimin e klonit të tij në Shqipëri, të cilat mediat amerikane dhe jo vetëm ato, e kanë quajtur Ramaduro. Këto zhvillime në Venezuelë janë një inkurajim shumë i madh për opozitën shqiptare për të bërë detyrën e vet, largimin sa më shpejt nga pushteti të një personi, të një diktatori që qëndron mbi votën e grabitur, mbi lidhjet e tij me krimin dhe drogën dhe vjedhjet e shqiptarëve…Rama i shpalli luftë të hapur sistemit të drejtësisë, ndaj dhe përgjigja jonë do të jetë absolute ndaj tij. Kështu që, jemi të përgatitur për protesta të reja të fuqishme nën moton ‘Ja vdekje, ja liri’ dhe ne do të fitojmë. Sa herë që kemi pasur këtë moto, ne kemi triumfuar”, tha Berisha.
Berisha ka vijuar me akuzat ndaj kryeministrit Rama, duke iu rikthyer sërish çështjes së Ballukut. Sipas Berishës, Rama nuk do të pranojë asnjë verdikt, që do të japë drejtësia për zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Në kushte të tilla, sipas liderit demokrat, protestat janë të rëndësishme./ZËRI



