TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zgjedhjeve të së dielës në Kosovë, ku ka uruar kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti, për fitoren. Rama thotë se fitoja ishte domethënëse, dhe uron që mandati i ri për Kurtin të kthehet në një sukses për Kosovën, dhe për marrëdhënien mes dy vendeve tona.
“E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona. Gëzuar”, shkruan Rama në postimin e tij në X.
Lëvizja Vetëvendosja e udhëhequr nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga mbi 95% të votave të numëruara, Partia e Albin Kurtit, fitoi rrth 49,8% të votave. Subjekti i dytë politik renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka fituar pak më shumë se 21%.
Partia e tretë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), me rreth 13.8%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka fituar pak më pak se 6% të votave. Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka fituar rreth 3.5% të votave. Në Kuvend do të futen edhe partitë e minoriteteve të tjera.
Për minoritetin serb janë të rezervuara 10 vende në Kuvend, sa janë të rezervuara edhe për minoritetet e tjera. Kuvendi i Kosovës ka 120 vende. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ditën e diel ishte rreth 44%, pak më e lartë sesa në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit garuan 22 subjekte politike, prej tyre 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, si dhe 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Në këto zgjedhje garuan gjithsej 1180 kandidatë për 120 vende sa i ka Kuvendi i Kosovës. Nga ky numër, 20 ulëse janë të garantuara për pakicat, 10 nga to për serbët e Kosovës. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit në Kosovë u vëzhguan nga rreth 8600 vëzhgues, shumica nga ta vendorë dhe një numër i vogël ndërkombëtarësh, përfshirë 10 vëzhgues nga Parlamenti Evropian./ZËRI




