TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e fundit që përfshijnë hetimet lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Në podcastin e tij, Flasim, Rama e cilësoi një zhurmë histerike, ndërsa nga ana tjetër theksoi rezultatin fantastik në fushën digjitale të veprimtarisë së AKSHI-t.
Sipas Ramës, AKSHI ka bërë një punë të jashtëzakonshme nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt, e cila aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Lidhur me këtë, Rama u shpreh se Karçanaj ndodhet nën një masë sigurie për akuza “të hatashme:” dhe se vetëm drejtësia do të zbulojë të vërtetën.
“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqipërie, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën një mase sigurie me një akuze te hatashme, për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj ciladoqoftë ajo.
Por unë di po ashtu, që falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale.
Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë, ku kemi 0.939 pikë nga 1 që është maksimumi, por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë.
Ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqësor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t”, tha Rama.
Më datë 23 dhjetor, Mirlinda Karçanaj, drejtuesja e AKSHI, ka deleguar kompetencat drejtuese. Karçanaj e vendosur në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ dhe e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera i ka kaluar kompetencat drejtuese tek Romina Kostani. Po ashtu, Karçanj ka deleguar edhe kompetencat e Titullarit të Autoritetit Kontraktor për AKSHI-n, ku vendimmarrjet që lidhen me çështjet e sigurisë kibernetike do të ushtrohen nga Enis Ylli.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI




