TIRANË- Në takimin e zhvilluar në Korçë me demokratët, kreu i opozitës Sali Berisha ka ngritur akuza të forta kundër qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se biznesmeni Ergys Agasi është përdorur si “zëvendëskryeministër në hije”. Sipas Berishës, Agasi ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin dhe abuzimin me tenderët e shërbimit të AKSH-it, përmes një operacioni të paligjshëm të financuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Ju më keni dëgjuar mua, sa herë kam lakuar emrin e Ergys Agasit. E çfarë del tani? Ai ishte zëvendëskryeministër në hije. Ishte zv/kryeministër në hije. Pse? Sepse atë përdorte Edi Rama për shumicën e krimeve të tij.
AKSH, ajo E-Albania, futet këshilltari, koordinatori i bandave me 15-vjeçar, me 1000 euro regjistron biznesin e EA Solution. Me 15-vjeçar, në arkën e tij, në konton e tij 232 milionë euro, pa asnjë shpenzim përveç rrogave të dy vetëve në sipërmarrje.
232 milionë euro, pa importuar asnjë majë lapsi, pa shpenzuar as dhe një fletë formati, vetëm duke paguar dy vetë në sipërmarrje dhe paratë tuaja, paratë tuaja nga kopshti privat i Edi Ramës, në kontot e tij. Dhe kjo është vetëm njëra anë.
Rrëmbime, pengmarrje, zhdukje njerëzish, që të gjitha, ju konfiskuan verën e Edi Ramës. Është e Edi Ramës ajo. E mori, mirë e bukur, nga shtëpia ku u konfiskua, nga magazina, nga që qilari, ku u konfiskua, e çoi në, është i filmuar, janë filmuar makinat që shkojnë drejt Lundrës sipër. Pra, a ka provokim më të madh ndaj nesh se ky? Jo, nuk ka. Ky është një provokim i jashtëzakonshëm. Dhe ne tani jemi në këmbë, jemi më të vendosur se kurrë.”– u shpreh Berisha.
Kujtojmë se sipas prokurorisë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë marrë peng biznesmenin Gerond Meçe, duke e detyruar të heqë dorë nga tenderat e AKSH-it pas shantazheve. Të dhënat janë siguruar nga celularët dhe SPAK. Drejtoresha dhe zv/drejtoresha e AKSHI-t kanë favorizuar kompanitë e Beqirit, duke u kaluar dhjetëra tendera. Agasit dhe Beqirit u janë ngarkuar akuza për konkurrencë të paligjshme, dhunë, heqje të lirisë, pastrim parash dhe krime të tjera. Në shtëpinë e Agasit, që ndodhet në kërkim, janë sekuestruar shishe vere pa pullë fiskale me një vlerë rreth 3 milionë euro. Prokuroria ka bllokuar verën për shkak të dyshimeve për shmangie tatimore./ZËRI



