Igli Tare ka bërë emër në këto vite si një nga drejtuesit më të aftë për të siguruar talente me kosto shumë të ulët dhe për t’i bërë ato emra të njohur. Dhe klubi i Lacios vazhdon të përfitojë nga zbulimet e tij, edhe pse aktualisht ai është bërë pjesë e Milanit.

Një nga emrat më të fundit që është kthyer në objektivin e shumë klube me emër në Europë është qendërmbrojtësi spanjoll Mario Gila. Tare ishte ai i cili insistoi që Gila t’i bashkohej Lacios në vitin 2022, duke e blerë për 6 milionë euro nga Real Madrid, në akademinë e të cilit ishte rritur mbrojtësi.
Një afrim që si zakonisht, u pa me skepticizëm nga tifozët e klubit bardhekaltër. Por Gila në këto tre vite ka rezultuar një nga lojtarët më të qëndrueshëm te Lacio duke luajtur mbi 100 ndeshje dhe spikatur me lojën e tij. Raportohet se tani 25-vjeçari është bërë objektiv i merkatos i klubeve si vetë Milani ku është Tare, por edhe Bornmuth e Çelsi, që rrisin ndjeshëm vlerën e tij. Kjo padyshim do të sigurojë përfitime të rëndësishme ekonomike për Lacion e cila duhet të falënderojë Taren për “magjinë” e radhës.
PANORAMASPORT.AL








