Pas një gjysmësezoni pothuajse perfekt, Ba jerni po merr gjithashtu një pushim të shkurtër. Deri sa gjithçka të bëhet sërish intensive në janar.

Për momentin, Herri Kejn ka pasur mjaftueshëm nga dimri gjerman; në fakt, ishte jashtëzakonisht ftohtë në Hajdenhajm, ku golashënuesi i Bajernit i dha lamtumirën pushimit dimëror në mënyrën më të mirë të mundshme, me një gol të shkëlqyer për rezultatin 4-0. Anglezi dhe familja e tij janë të tërhequr nga dielli i Karaibeve; prej dy vitesh tashmë, ai e shfrytëzon me kënaqësi pushimin jashtë sezonit, diçka që nuk ia kishte mundësuar kurrë karriera e tij në Premier Ligë.
Edhe trajneri Vinsent Kompani, i cili zakonisht vjen me shumë dëshirë në punë, kishte pranuar tashmë para udhëtimit drejt rajonit të Ostalbit se pushimi dimëror erdhi në momentin e duhur.
Bajerni, në çdo rast, po përballet me sfida, gjë që dëshmohet nga nëntë lojtarët që mungonin para Krishtlindjeve për shkak sëmundjesh ose dëmtimesh. Kompani premton se në vitin e ri, të gjithë lojtarët, me përjashtim të Nikolas Xhekson, i cili me shumë gjasa do të jetë ende i angazhuar në Kupën e Afrikës, do të mund të rikthehen në stërvitje.
Përgatitjet janë planifikuar të nisin më 3 janar me testet fizike, ndërsa Jamal Musiala thuhet se do të filloj seanca shtesë stërvitore që më 2 janar. Magjistari i driblimeve ka ende për të rikuperuar, pasi së fundmi është rikthyer në stërvitje me ekipin. Ai me siguri do të jetë i pranishëm më 4 janar, kur skuadra do të mblidhet në fushë për herë të parë që nga ndeshja e fundit.
Më pas, lojtarët do të bëjnë vizitat e tyre tradicionale në klubet e tifozëve në zonën përreth. Dy ditë më vonë, skuadra e Kompanisë do të zhvilloj testin e parë dhe të vetëm të përgatitjeve dimërore në Salzburg, ashtu si vitin e kaluar kur fituan 6- 0, kundër ish-kampionëve serialë të Austrisë, Red Bull Salzburg. Më pas, Bajerni rikthehet menjëherë në punë serioze: pret Volfsburg për ndeshjen e parë zyrtare dhe për herë të tretë radhazi do të luaj të dielën në mbrëmje. Pas kësaj, bavarezët udhëtojnë në Këln në ndeshjet e mesjavës dhe më pas te Lajpcig për supersfidën, përpara dy javëve radhazi të Ligës së Kampionëve.
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL








