TIRANË-Pesë anëtarët demokratë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, kanë kërkuar sot mbledhjen urgjente për të diskutuar çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar heqje imuniteti me qëllimin arrestimin.
Në letrën e firmosur nga 5 anëtarët demokratë drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi, nënvizohet se ka përfunduar afati prej më shumë se 1 jave për t’u njohur aktet dhe provat. Në kushte të tilla, opozita argumenton nevojën urgjente për t’u mbledhur Këshilli, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve.
Në mbledhjes e të premtes, datë 19 dhjetor, Këshilli nuk doli me një datë tjetër për mbledhjen e radhës. Në mbledhje mazhoranca këroi të mblidhet Këshilli më 19 janar. Avokati i Ballukut kërkoi 3 javë kohë, për t’u njohur me provat e SPAK. Me kërkesë të demokratëve, Këshilli vendosi që anëtarët të marrin me vete USB-në me 10 mijë faqe me prova për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Por në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar. Ndërkohë vetë kryeministri Edi Rama ka theksuar se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për Belinda Ballukun deri në momentin që Gjykata Kushtetuese do të shprehet me një vendim më 22 janar.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Prokuroria e Posaçme informon se Belinda Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, nga relacioni i zbardhur u zbulua se SPAK kërkon arrestimin e Ballukut për shkak se situata penale është rënduar dhe zv.kryeministrja dyshohet për manipulim në të paktën 11 tendera dhe rrezikon që të kryejë krime më të rënda për shkak të personalitetit të saj./ZËRI







