Në Napoli është rikthyer qetësia dhe raporti mes presidentit Aurelio De Laurentis dhe trajnerit Antonio Kontes duket më i fortë se kurrë. Sipas mediave italiane, De Laurentis dëshiron të zgjasë kontratën e Kontes edhe për dy vite të tjera, duke e mbajtur atë në stolin e Napolit deri në vitin 2029.

Pas fitores në Superkupën Italiane në Riad, presidenti ka riafirmuar publikisht besimin e tij të plotë te trajneri, duke e konsideruar punën e Kontes vendimtare për sukseset e skuadrës. Një ndryshim i madh krahasuar me periudhën e vështirë që pasoi humbjen ndaj Bolonjës në kampionat, mes polemikave dhe zërave për një largim të mundshëm. Mbetet për t’u kuptuar qëndrimi i vetë teknikut.
Historia e tij tregon se rrallë ka qëndruar më shumë se dy sezone në një klub, përjashtim Juventusi mes viteve 2011 dhe 2014. Në sfond mbetet gjithashtu edhe opsioni i rikthimit në stolin e Kombëtares italiane, në varësi të rezultateve që do të arrijë Gatuzo. Në aspektin sportiv, Konte po konfirmon edhe një herë vlerat e tij si një nga trajnerët më të mirë në botë. Pavarësisht dëmtimeve të shumta dhe mungesave të rëndësishme, ai ka ditur të përshtatet, duke ndryshuar disa sisteme loje dhe duke ruajtur parimet e tij taktike.
Vlerësimi për Konten vjen edhe nga vetë lojtarët, të cilët kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre. De Laurentis dëshiron ta blindojë trajnerin, por tani pritet vendimi i Kontes për të ardhmen e tij në Napoli.
Nëse rinovimi i kontratës do të bëhet zyrtar në javët në vijim, kjo do të ishte padyshim një bonus shumë i rëndësishëm për Napolin, për vijimin e këtij sezoni drejt realizimit të objektivave, duke ditur vlerat e teknikut, që solli trofeun e dytë të kampionit në tre sezonet e fundit, ndërsa vetëm pak ditë më pare, bëri që të kaltrit të ngrenin lart edhe trofeun e Superkupës së italisë në Rias, pas triumfit në finale ndaj Bolonjës.
PANORAMASPORT.AL








