Josip Stanisiç konsiderohet një lojtar skuadre në kuptimin më të plotë të fjalës. 25-vjeçari e ka lënë pas statusin e talentit – si në fushë, ashtu edhe përmes deklaratave të tij. Goli nuk ishte i vështirë; Josip Stanisiç thjesht duhej të ndodhej në vendin e duhur.

Pikërisht këtë bëri për golin e parë të Bajernit të dielën, duke shtyrë me kokë topin mbi vijë pas goditjes së Tah. Ishte goli i dytë i mbrojtësit këtë sezon, pasi kishte shënuar edhe dy javë më parë në fitoren 5-0 ndaj Shtutgartit. “Kam pritur pak që më në fund të shënoj sërish,” tha Stanisiç.
“Për mua është e rëndësishme të futem në ritëm, të kem më shumë besim te gjuri.” Ai i referohej dëmtimit të ligamentit, që e mbajti jashtë për shtatë ndeshje në fillim të vjeshtës. Tani kjo është histori; në Hajdenhajm ai madje asistoi edhe për golin e Luis Díaz për 3-0.
“Nuk ka rëndësi nëse shënoj unë apo Herri shënon tre gola. Gjëja kryesore është që ne të fitojmë.” “Shpresoj që gjithçka të vazhdoj njësoj edhe në vitin 2026. Që në 2025 u pa se si jemi zhvilluar. Flet shumë për ne fakti që kemi humbur vetëm një ndeshje, kundër skuadrës aktualisht më të mirë në Europë.”
Humbja 1-3 ndaj Arsenalit. Stanisiç përmendi gjithashtu rikthimin e afërt të Jamal Musiala, duke thënë se kjo do t’ua vështirësoj edhe më shumë punën mbrojtësve kundërshtarë. I pyetur nëse ka ende dyshime për titullin kampion, duke pasur parasysh diferencën e madhe të pikëve, Stanisiç u përgjigj me vetëbesimin tipik të një lojtari të Bajernit:
“Edhe sikur të ishte vetëm një pikë ose të ishim pak prapa, ne nuk do të dyshonim. Ne jemi Bajerni, gjithmonë duam të fitojmë tituj. Duam të vazhdojmë kështu dhe atëherë askush tjetër përveç nesh nuk mund të na e marrë.” Mbrojtësi nuk e injoron faktin se ka ende disa detaje të vogla për tu përmirësuar në lojën e bavarezëve: “Nëse ata do ta kishin bërë 2-1, do t’ia kishim vështirësuar jetën vetes. Duhet të sigurohemi që ta ruajmë kontrollin gjatë gjithë ndeshjes; mund të jemi pak më të qetë. Përndryshe, ka shumë gjëra të mira në lojën tonë.”
PANORAMASPORT.AL








