Dëmtimi i Denzel Dumfris ka ndezur shqetësime te Interi për repartin e krahut të djathtë. Performancat e Luis Henrike nuk kanë bindur plotësisht trajnerin dhe drejtuesit. Pavarësisht disa shfaqjeve pozitive në javët e fundit, braziliani ende nuk ka treguar se ia vlen investimi prej 25 milionë eurosh që klubi bëri për të gjatë verës.

RIKTHIMI I DARMIAN DHE VLERËSIMI I STAFIT
Shumë shpejt do të rikthehet nga dëmtimi edhe Mateo Darmian, i cili, përtej moshës, ka më shumë aftësi mbrojtëse sesa sulmuese. Për këtë arsye, drejtuesit e Interit po vlerësojnë mundësinë e një ndërhyrjeje në merkato gjatë janarit. Megjithatë, “Oaktree” këshillon qetësi dhe kujdes për bilancet financiare, pasi objektivi është të gjendet një krah i djathtë që të mbulojë boshllëkun menjëherë, pa kompromentuar strategjitë e verës.
PALESTRA, ËNDRRA E NDALUAR
Në listën e Marota-s dhe Ausilios, emri i parë që spikat është Marko Palestra, krah i Atalantës, i cili po shkëlqen në huazim te Kaljari. Problemi kryesor është çmimi i lartë: Atalanta e vlerëson kartonin e tij 40 milionë euro dhe duhet të gjendet një marrëveshje që të kënaqë edhe Kaljarin, i cili kërkon një zëvendësues. Kjo e bën operacionin të ndërlikuar, megjithatë ideja e Palestra-s mbetet e preferuara nga drejtuesit.
RAFIK BELGHALI, MUNDËSI E QËNDRUESHME
Alternativa e dytë vjen nga Verona, ku luan Rafik Belghali. I riu i lindur në 2002 ka impresionuar stafin e Interit gjatë ndeshjes së 2 nëntorit dhe konsiderohet një opsion ekonomikisht i qëndrueshëm. Megjithatë, thirrja nga Algjeria për Kupën e Afrikës e bën lojtarin të papërdorshëm pikërisht në momentin kur Interi ka më shumë nevojë për të. Kjo mund të shtyjë blerjen për qershorin, ku gjithsesi do të ketë konkurrencë nga Juventusi.
OPSIONI I TRETË: DODO NGA FIORENTINA
Në sfond mbetet pista e Dodo-s, brazilianit të Fiorentinës. Ai ka kontratë deri në 2027, por ende nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin. Situata e vështirë e Fiorentinës mund ta bëjë të largohet nga ekipi në mes të sezonit, një mundësi që Interi po monitoron me kujdes. Interi po studion me kujdes opsionet për të mbuluar boshllëkun e Dumfris dhe për të garantuar siguri në krahun e djathtë. Drejtuesit duan një zgjidhje të menjëhershme dhe ekonomike, që të mos rrezikojë planet e verës dhe objektivin për Champions League.
PANORAMASPORT.AL








