TIRANË- Pas përfundimit të protestës së sotme nga opozita, Adriatik Lapaj është rikthyer sërish te “këndi i tij” para Kryeministrisë. Në videon e publikuar në rrjetet sociale, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” shihet teksa vendos sërish karriget në vendin ku ka qëndruar që prej 8 dhjetorit, në shenjë proteste kundër qeverisë Rama.
Teksa po vendosej në “këndin e tij”, Lapaj komentoi edhe protestën e opozitës, ku u shpreh se Rama nuk rrëzohet me kapsolla, duke ironizuar PD-në, pasi sot disa protestues hodhën kapsolla dhe molotov drejt godinës së Kryeministrisë. Sipas tij, Rama rrëzohet me rezistencë qytetare dhe masivitet, duke e cilësuar këtë si pikë kyçe për të ndryshuar situatën aktuale në vend.
“Për dy orë hymë në rezistencën e 16-të. Rama dhe regjimi i tij mundet me rezistencë, nuk mundet dot me kapsolla. Se po të jetë për kapsolla, kanë më shumë këta; të jetë për dhunë, kanë më shumë këta. Këta munden vetëm me masivitet qëndrestarësh. Do qëndrojmë këtu dhe do kërkojmë masivitet qytetarësh për ta bllokuar.
Unë vazhdoj në protestë. Të thonë: ‘Të ftuan në protestë…’. Unë jam 15 ditë në protestë. Kjo është protesta. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë që rezistenca është pika e kthesës përballë këtij regjimi që ka marrë peng vendin. Kjo përkon me qëndresën: të mblidhemi këtu dhe ky dhjetor të mos na ndalë asnjë moment. Rama mundet nëse kemi fëmijët përdore duke u përballur me të”,- tha Lapaj.
Kujtojmë se Berisha i kishte bërë ftesë Lapajt për të qenë pjesë në protestë, por ai e ka refuzuar ftesën, duke thënë se do të jetë pjesë vetëm kur protestat të jenë pa logo partish dhe kur të gjithë të bashkohen si qytetarë për të rrëzuar qeverinë aktuale. Ai i liroi vendin opozitës sot, ku u zhvendos nga Kuvendi i Shqipërisë. /ZËRI



