TIRANË- Edhe pse Berisha i kishte bërë ftesën për t’u bashkuar në protestën e sotme, Adriatik Lapaj është spostuar pranë Kryesisë së Kuvendit, për t’i lënë hapësirë opozitës.
Kreu i “Shqipëria Bëhet” ka sqaruar pse e “refuzoi” ftesën e Berishës për të qenë pjesë e protestës, duke theksuar se ka qenë ai i pari që ka ofruar që të gjitha partitë opozitare të bashkoheshin në shesh kundër qeverisë Rama, por PD nuk ka qenë prezente. Ai la të kuptohej se nëse PD do t’i ishte bashkuar thirrjes së tij, edhe ai do të ishte sot me demokratët për ta bërë protestën më masive. Në fjalën e tij, Lapaj u shpreh se Rama nuk ikën me mitingje, por me qëndresë dhe revoltë qytetare.
“Unë kam ofruar vizionin për një protestë kombëtare me flamurin kombëtar, përtej logove të partive. Nëse PD do ta pranonte këtë, do të isha edhe unë së bashku me ta aty, për ta bërë masive, që askush të mos na ndalojë. Duhet ta kuptojmë se nuk duhet të jetë miting, por revoltë qytetare me qëndresë, revoltë e njerëzve që vijnë në shesh dhe nuk ikin më. Ai nuk ikën me mitingje, është provuar për 13 vite dhe nuk ka ikur. Prandaj duhet flamuri kombëtar që na udhëheq dhe një bashkim i madh i të gjithë shqiptarëve, të majtë e të djathtë, me parti apo pa parti. Sot është momenti, është koha që demokratët e ndershëm, socialistët e ndershëm, të krishterët, myslimanët, të gjithë ata që vidhen dhe që mendojnë se jemi nën një regjim nga më të korruptuarit në botë, të bashkohen”,- tha Lapaj.
Kujtojmë se Lapaj, që prej datës 8 dhjetor, qëndron në shenjë proteste para Kryeministrisë, ku kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, së bashku me një grup aktivistësh të subjektit “Shqipëria Bëhet”. /ZËRI



