TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar disa përgjime nga dosja e Prokurorisë së Posaçme, për korrupsionin me tenderat e AKSHI, ku Ergys Agasi tashmë në kërkim, ka pasur një rol qëndror. Në një pasazh të përgjimeve, Agasi shkruan: projekti bën 2 mln, ne do ta bëjmë 4! Ndërkohë që në një tjetër moment të dosjes së Prokurorisë, “Tja them… ka një gjë që, i them kapos që e ka gjith nji raport”. Sipas Bardhit, termi Kapo i përdorur nga Agasi i referohet Ramës. Në postimin e tij në rrjetet sociale, demokrati shprehet se ajo që zyrtarët e përfshirë në dosjen e AKSHI-t i kanë bërë buxhetit të shtetit është një gjenocid, dhe se përfitimet e drejtpërdrejta të Agasit nga skema e korrupsionit, janë më shumë se 30 milionë euro.
POSTIMI I BARDHIT
Nga “Palloshi i gjatë” i Belinda Ballukut, tek “Kapo” i Ergys Agasit! Edi Rama ka rënë në rrjetë dhe është në hall të madh. Largimi i tij i menjëhershëm është shpëtimi i vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ka kryer genocid ndaj Buxhetit të Shtetit dhe parave të qytetarëve shqiptarë!
Dosja e AKSHI-t provon se skema korruptive e ndjekur është identike me atë që kemi parë edhe në çështjet e tjera. Paracaktim i kritereve, paracaktimi i fitueseve, dyfishimi i fondit limit, ndarja e parave mes kompanisë fituese dhe autoritetit që përcakton fituesin. Sepse korrupsioni nuk është një akt i izoluar i Belinda Ballukut apo dikujt tjetër, por skemë qeverisjeje e Edi Ramës.
Logjika që ndiqet është se, nëse shërbimi kushton 2 milion, fondi limit bëhet 4 milion. Pra, taksa e korrupsionit merret po nga paratë e Buxhetit të Shtetit, jo nga vlera e fitimit të kompanive private.
Sipas SPAK-ut vetëm për 9 muaj, për periudhën 11.12.2024-26.9.2025, përmes kësaj skeme, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi, krahu i djathtë i lidhjeve me krimin e organizuar i Edi Ramës, ka përfituar plot 30.2 milion euro. Po po, 30.2 milion euro për 9 muaj ka përfituar taksë korrupsioni vetëm nga AKSHI, për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro.
Kjo nuk është vjedhje! Ky është genocid ndaj Buxhetit të Shtetit. Prandaj nuk kanë fonde për të rritur pensionet dhe pagat. Prandaj nuk kanë fonde për t’u dhënë punonjësve të shtetit shpërblim për fundvit, prandaj s’kanë fonde për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Këta nuk janë Qeveri. Këta janë një bandë që ka marrë peng vendin përmes një Kryeministri të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që ndryshe nga Belinda Balluku që e quante “Palloshi i gjatë”, Ergys Agasi e respektonte dhe e quante “Kapo”! Prandaj, ka nisur pengimin e drejtësisë, sepse e ka kuptuar që ka rënë në rrjetën e drejtësisë, në mos si “Palloshi i gjatë”, ka rënë si “Kapo”!
Në lidhje me skemën e abuzimit me tenderat e AKSHI, SPAK ka lëshuar masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, ndërsa në arrest shtëpie për drejtoreshën Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësen e saj Hava Delibashi. Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit Erion Ismaili. Ndalim për të dalë jashtë vendit: Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI






