
TIRANË- Kreu i partisë”Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, pas lajmit se policia referoi materialet në Prokurori për politikanin dhe 9 përkrahës të tij, ka publikuar sot një dokument me anë të të cilit vërteton se partia ka qenë e pajisur me leje zyrtare për organizmin e tubimit.
Pavarësisht lejes së marrë, në postimin e bërë, Lapaj shkruan se Policia e Shtetit ka ndërhyrë për të penguar zhvillimin e protestës, ditën e djeshme.
“Policia e Shtetit ka që dje që ka marrë peng foninë e protestës. I heq bukën e gojës atij që punon dhe mban familjen vetëm e vetëm për të mos lejuar njeri që të na mbështesë ne me qendër zëri. Protesta ka pasur leje! Kur shteti sillet si organizatë bandite, çfarë mbetet?!”, shprehet Lapaj.
Nga ana tjetër policia ka njoftuar për padinë e dërguar në Prokurori në lidhje me realizimin e protestës së partisë “Shqipëria Bëhet”. Mësohet se janë referuar materiale për kreun e partisë dhe 9 persona të tjerë.
Kujtojmë se protesta e djeshme e partisë “Shqipëria Bëhet” u zhvilluar me tensione mes pjesëmarrësve dhe policisë pasi këto të fundit zhvendosën me forcë gjeneratorin përpara orarit të mbylljes së protestës. Prej datës 8 dhjetor, Adriatik Lapaj është “ngujuar” poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama. E nisi vetëm, por dhjetëra qytetarë i janë bashkuar protestës që vijon prej dy javësh dhe që do të zgjasë sipas Lapajt, deri në largimin e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës./ZËRI



