TIRANË– Qeveria shqiptare ka miratuar në mbledhjen e sotme rritjen e pagës minimale në vlerën 50 mijë lekë. Ky vendim do të hyjë në fuqi që nga 1 janari 2026. Rritje page do të ketë si në sektorin publik ashtu edhe në privat, ku përfshihen rreth 307 850 punonjës.
Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
Njoftimi i vendimit:
Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.
Rritja e pagës minimale është njoftuar më herët nga kryeministri Edi Rama. Përveç rritjes së pensioneve, kreu i qeverisë shqiptare njoftoi se rritje do të ketë edhe për pagën minimale deri në 500 euro, si në sektorin publik edhe në privat./ZËRI




