TIRANË-Akademia e Trajnimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore është tashmë një realitet konkret për pushtetin vendor në Shqipëri, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një administrate lokale moderne, profesionale dhe të përgatitur për standardet europiane.
Gjatë prezantimit të Akademisë, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se ky institucion “nuk është më një ide apo një vizion, por një realitet i prekshëm për pushtetin vendor”, duke e cilësuar atë si një instrument strategjik për forcimin e shtetit në nivel lokal.
Në një moment kyç për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, Akademia merr një rol të veçantë. Ministri Demo rikujtoi se integrimi nuk është vetëm një proces politik, por edhe teknik dhe administrativ, duke theksuar se “Një pjesë shumë e madhe e acquis communautaire zbatohet në nivel vendor”. Kjo, sipas tij, e vendos pushtetin lokal në vijën e parë të përballjes me standardet europiane të qeverisjes dhe shërbimeve publike.
Akademia do të trajnojë të gjithë administratën vendore, nga drejtuesit deri te punonjësit e vijës së parë.
“Shërbimet ndaj qytetarëve duhet të jenë të nivelit europian dhe duhet të jemi gati për sfidat që sjell anëtarësimi” theksoi ministri, duke nënvizuar rëndësinë e komunikimit, etikës dhe përdorimit të mjeteve digjitale.
Një tjetër prioritet është përmirësimi i menaxhimit të financave vendore, që investimet të planifikohen aty ku krijojnë zhvillim real dhe të qëndrueshëm.



