TIRANË- Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj, ka kërkuar që të jetë pjesë e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku do të diskutohet mbi heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Së bashku me deputetin Erald Kapri, ata kanë kërkuar që të bëhen pjesë e mbledhjes, ndërkohë që pritet që drejtuesi i Kuvendit Niko Peleshi, ta hedhë kërkesën e tyre për votim.
“I kemi kërkuar kryetarit të jemi në këtë mbledhje”, u shpreh Shehaj, ndërkohë që i kërkoi llogari Niko Peleshit, i cili u fut në mbledhje pa bërë asnjë koment.
“Vazhdon avazi PS-PD”, u shpreh Shehaj, teksa i binte derës së mbledhjes.
“Duan të mbajnë fshehur gjithçka dhe të nxjerrin vetëm çfarë duan ata. Ne do të ngulim këmbë sepse është e parashikuar nga rregullorja. Mbyllën edhe derën këtu. Kanë vënë edhe gardistët. Kemi bërë kërkesë bashkë me deputetin Kapri për të marr pjesë. Por këta nuk duan t’ja dinë. Ky është skandal i vërtetë. Kanë marrë urdhër nga Rama që të mos na lejojnë të hymë”, vijoi Shehaj.
SPAK në kërkesën që ka dorëzuar në Kuvend ka rënduar pozitën e Ballukut, duke e akuzuar atë jo vetëm për tenderat, për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës, por edhe për koncesionin e ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar me vlerë më shumë se 245 mln euro nga kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt, tenderin e rrugës Porto Romano-Durrës 12 mln euro dhe mirëmbajtjen e akseve të veriut me vlerë 440 mijë euro.



