TIRANË- Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas sancës kaotike ditën e sotme, që përfunoi mes tensioneve dhe përplasjeve. Përmes një postimi, Peleshi shprehet se Kuvendi është vendi ku fjala dhe sjellja e deputetëve duhet t’i shërbejnë mirëkuptimin dhe jo përçarjes.
Kryeparlamentari thekson se institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët, jo arena për beteja personale apo partiake, teksa shton se asnjë parti politike nuk duhet të harrojë se të gjithë shërbejnë për të njëjtin vend. Në fund të reagimit të tij, Peleshi shpreh mirënjohjen për Gardën e Republikës dhe të shërbimeve të Kuvendit, për korrektesën dhe përgjegjësinë në kryerjen e detyrës.
Postimi i plotë i Peleshit:
Kuvendi i Shqipërisë nuk është thjesht një vend debatesh, por institucioni ku fjala dhe sjelljet e deputetëve duhet të mbajnë e dëshmojnë peshën e përgjegjësisë dhe t’u shërbejnë mirëkuptimit, jo përçarjes. Çdo sjellje që shkel etikën, respektin dhe rregullat e funksionimit të Kuvendit dëmton rëndë dinjitetin, cënon përfaqësimin dhe besimin e qytetarëve. Detyrimi ynë është të bashkëpunojmë për zgjidhje në të mirë të vendit, të zhvillojmë dialog serioz, jo të krijojmë kaos.
Mbi interesin politik qëndron interesi i shtetit. Asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson e vetme të vërtetën dhe asnjë ndarje partiake nuk duhet të na bëjë të harrojmë se të gjithë shërbejmë për të njëjtin vend dhe për të njëjtët qytetarë. Institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët, jo arena për beteja personale apo partiake. Ruajtja, forcimi dhe respektimi i tyre është përgjegjësi që na bashkon përtej ndarjeve tona politike. Vetëm kur e vëmë shtetin mbi partinë, mund të ndërtojmë një Shqipëri më të fortë për brezat që vijnë. Respekti për Kuvendin është respekt për Republikën, respekt për qytetarët.
Mirënjohje për punonjësit e Gardës së Republikës dhe të shërbimeve të Kuvendit, për korrektesën dhe përgjegjësinë në kryerjen e detyrës.
Seanca e fundit e sesionit parlamentar të këtij viti u mbyll pas një orë tensionesh dhe përplasjesh nga ana e opozitës, duke e shndërruar sallën e Kuvendit në një ‘arenë lufte’. Sherre, konflikte fizike, zaptim karriges, flurim i shisheve të ujit dhe ndezje flakadanësh, përshkruajnë seancën e fundit plenare të këtij viti. Mes tensioneve u betua edhe Endri Shabani si Avokati i ri i Popullit, ndërsa mazhoranca kaloi në votim projektligjet./ZËRI




