TIRANË- Ende pa nisur seanca plenare, tensioni është i lartë në sallën ee Kuvendit. Disa deputetë të Partisë Demokratike kanë zënë vendet e ministrave në sallë. Situata ka krijuar kaos në sallë, pasi opozita ka ndërprerë punimet dhe po pengon zhvillimin normal të seancës.
Visualizza questo post su Instagram
Deputetët opozitarë kanë bllokuar foltoren dhe pjesën ku ulen ministrat në sallë, ndërsa Klevis Balliu ka hipur edhe mbi tavolinë.
Visualizza questo post su Instagram
Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar. Avokat i Popullit, Endri Shabani, i cili u zgjodh me firmat e PD-së dhe votat e PS-së, pritet të bëjë betimin zyrtar në këtë seancë. Zgjedhja e Avokatit të Popullit ka qenë një nga çështjet më të diskutuara të ditëve të fundit, që ka ndezur debat jo vetëm mes palëve, por edhe brenda opozitës.
Tensione të forta priten në lidhje me çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, pas zhvillimeve të fundit, ku SPAK i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj. Këshilli i Mandateve është parashikuar të mblidhet të premten për të shqyrtuar kërkesën, megjithatë debatet kanë nisur më herët pasi, anëtarët ende nuk kanë marrë në dispozicion materialet provuese të SPAK. Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ende nuk ua ka vënë në dispozicion këtë material, duke argumentuar se dokumentacioni përmban të dhëna që janë sekret hetimor.
Pjesë e rendit të ditës pritet të jetë edhe mocioni me debat lidhur me masat e ndërmarra nga qeveria për forcimin e politikës së “tolerancës zero” ndaj krimit të organizuar./ZËRI



