TIRANË- Ish-deputetja e PD dhe moderatorja e ‘Top Story’, Grida Duma, ka reaguar publiksht në lidhje me aludimet e ditëve të fundit nga kampi blu. Partia Demokratike ka aluduar së fundmi se Duma ka negociuar me kryeministrin Edi Rama për Endri Shabanin si Avokatit të Popullit dhe se është pas lëvizjes së Ervin Salianjit.
Në studion e ‘Top Story’, përballë të ftuarëve, Grida hodhi poshtë çdo pretendim, teksa me tone të ashpra deklaroi se nuk ka guxim askush që t’i bëjë pis emrin dhe reputacionin që ka ndërtuar ndër vite. Moderatorja theksoi se nuk ka negociuar me askënd dhe qëndron larg çështjeve të ‘pushtetshme’, sipas saj, “alla Edvin apo alla Ervin”.
Duma shprehu mirënjohje për liderin demokrat, Sali Berisha, duke shtuar se mund të ishte ai i vetmi, me të cilin mund të bënte pazar për sa kohë ishte pjesë e partisë.
“Nuk guxuar njeri të mendojë se bëj pazare me Edi Ramën sepse këtë personalitet e kam ndërtuar nga politika dhe vi këtu. Nga ana tjetër, se më the për mbështetjen e Salianjit…Kur unë nuk shtrij dorën për gjërat e pushtetshme alla Edvin, nuk ka njeri mundësi që të më përdorin mua si vegël më të vogël për çështje alla Ervin. Janë çështje minore në situatën time. Unë nuk duhet abosolutisht në publik, t’ju them një gjë që kam parim, por bësoj e kam përcjellë. Unë humanen nga politikania unë e ndaj. Unë në këtë studio, miq, kolegë, bashkërrugëtar, kundërshtar, i kam trajtuar me një taban njerëzor. Por, po të ishte puna për të bërë pazar, unë e bëja me Sali Berishën. Sali Berisha ka mirënjohjen time se më ka futur mua në politikë dhe si i tillë, mund të bëja pazaret kur e kisha pushtetin të mundshëm se ishte partia ime”, u shpreh Grida Duma.
Pak ditë më parë, Grida Duma bëri një tjetër reagim lidhur me zhvillimet e fundit, lidhur me të cilat, ka qarkulluar edhe emri i saj. Në një përgjigje për sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, i cili pretendoi se Grida Duma mund të ketë qenë negociatore e kryeministrit Edi Rama për çështjen e Endri Shabanit, Duma deklaroi se po e përmendin atë pasi janë vetë në paqartësi absolute.
Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka u -përplas ashpër me Ervin Salianjin. Në një deklaratë për mediat, Noka ka hedhur dyshime dhe hipoteza lidhur me procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke folur për firmat e dhëna nga deputetë të PD-së për kandidaturën e Endri Shabanit. Noka bëri me dije se disa deputetë kanë pranuar se janë kontaktuar personalisht nga Shabani, ndërsa përmendi edhe gojëdhëna sipas të cilave Grida Duma mund të ketë qenë negociatore e kryeministrit Edi Rama për këtë çështje./ZËRI





