Roma e Xhan Piero Gasperinit pas fitores bindëse ndaj Komos është rikthyer vetëm 3 pikë larg Interit kryesues. Diferenca e vogël lë gjithçka të hapur për garën e titullit dhe për këtë arsye trajneri “giallorosso” ka kërkuar nga drejtuesit e klubit një përpjekje në merkato. Objektivi kryesor është t’i dhurohet Gasperinit një sulmues sa më shpejt.

Në krye të listës së drejtorit sportiv Riki Masara është Xhoshua Zirkze. Holandezi te Mançester Junajtidi po luan me shumë pak minuta, vetëm 355 në këtë gjysmësesion. Perspektiva e një rikthimi në Itali e tërheq, dhe kontaktet mes drejtuesve të Romës dhe agjentëve të tij janë tashmë në zhvillim. Megjithatë, entuziazmin e romanistëve frenon trajneri i “Red Devils”, Ruben Amorim, dhe variabla e Kupës së Afrikës.
Trajneri portugez ka lënë të kuptohet se me largimet e Brian Mbeumo dhe Amad Dialo për Marokun, Zirkze mund të bëhet i domosdoshëm për rotacionin e skuadrës. Një problem për Masarën, që mund të shohë pistën për ish-lojtarin e Bolonjës të bllokohet deri në përfundim të Kupës së Afrikës, më 18 janar. Për këtë arsye Roma po përgatit edhe një plan B, në rast se sulmi për Zirkze shndërrohet në një telenovelë të vërtetë.
Pista alternative do të ishte një marrëveshje brenda “familjes”. Një shkëmbim me Evertonin, klub me të cilin romanistët ndajnë pronësinë e Friedkin. Në këtë skenar Artem Dovbik mund të niset drejt Liverpulit, ndërsa në drejtim të kundërt do të vinte një njohje e vjetër e Serie A, Beto. Një ide shkëmbimi në fazë të hershme, por që në javët e ardhshme, në rast vështirësish me Zirkze, mund të marrë më shumë formë.
PANORAMASPORT.AL








