TIRANË-Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha u pyet nëse do ta përjashtojë nga partia ish-deputetin Ervin Salianjin, pas përplasjes mes tyre në distancë që nisi me takimin e zhvilluar në Elbasan nga ish-deputeti. Berisha u shpreh për mediat se “nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime”, duke nënkuptuar se ish-deputeti po vetëpërjashtohet nga PD.
Pyetje: Salianji ka akuzuar deputetin tuaj Arian Ndoja. Ai ka deklaruar se nëse është vijë e kuqe bashkëpunimi me krimin, atëherë ju kujton vendosjen në lista në Arian Ndojës, i cili përflitet për lidhje me krimin.
Sali Berisha: Gjithçka ka patur unë për këtë çështje e kam shprehur si kryetari i PD-së dhe atë ju garantoj se nuk e lëviz asgjë. Qëndrimi absolut i kësaj force politike, vija absolute e kuqe është banda dhe krimi.
Pyetje: A do përjashtohet Salianji?
Sali Berisha: Asgjë nuk lëviz atje.
Pyetje: A do përjashtohet?
Sali Berisha: Qëndrimi, edhe njëherë, qëndrimi absolut i kësaj force politike është, vija absolute e kuqe janë bandat dhe krimi.
Pyetje: Përjashtohet kush shkel vijën e kuqe?
Sali Berisha: Shih statutin.
Pyetje: Pra mund të përjashtohet? Ju keni thënë në fillim të foltores që nuk do ketë përjashtime. Kur erdhët në krye të PD thatë që s’do ketë përjashtime.
Sali Berisha: Jo jo, nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime.
Pyetje: Protesta do të jenë të qëndrueshme?
Sali Berisha: Protestat, absolutisht vetëm protesta. Revoltë jo protesta.
Pyetje: Do të qëndroni në shesh apo …
Sali Berisha: Ato do ti mësoni që të gjitha. Do ti mësoni se janë sekrete të organizatorëve.
Kujtojmë se një përplasje në distancë u zhvillua sot mes Berishës de Salianjit, ku kreu i PD akuzoi ish-deputetin se takimin në Elbasan e kishte organizuar në bashkëpunim me bandat kriminale të qytetit, konkretish Suel Çelën. Salianji mohoi lidhjet me bandat, duke i kujtuar kryedemokratit zgjedhjen si deputet të prokurorit Arian Ndoja, i cili i ka shpëtuar një atentati në Durrës.



