TIRANË-Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji i është përgjigjur kryedemokratit Sali Berisha, lidhur me akuzat e këtij të fundit për organizime të takimeve në Elbasan nga Suel Çela. Berisha e cilësoi bashkëpunim me krimin si ‘vijën e kuqe’, teksa shtoi se Salianji duhet të mbajë përgjegjësi.
Por për Ervin Salianjin ‘vija e kuqe’ qëndron diku tjetër në Partinë Demokratike. Duke iu përgjigjur këtyre akuzave, përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji mohon pretendimet se ka pasur kontakte me persona që i ka denoncuar prej vitesh, përfshirë Suel Çelën. Demokratike në reagimin e tij ironizon edhe deputetët e rinj të zgjedhur nga zgjedhjet e 11 majit, ku sipas tij janë komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to.
Ervin Salianji: E vetmja mënyrë që Edi Rama gjeti për të më ndalur nga përballja me ta në zgjedhje ishin akuzat e fabrikuara, në betejën time kundër një prej grupeve mafioze më të fuqishme në vend. Sepse në garë dhe me garë unë i mund! Këtë e kam treguar në Korçë, në Kavajë, në parti dhe kudo: forca ime e vetme janë, personaliteti, vullneti im dhe mbështetja e njerëzve. Në Elbasan ishte e gjithë struktura vitale e Partisë Demokratike. Akuzat imagjinare, siç ndodh rëndom me armiqtë imagjinarë të qëmotit, se unë paskam takuar ata që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë një dëshmi e mjerimit politik. Veçanërisht kur dihet se shumëkush tjetër e ka pasur në krah dhe e ka përdorur për interesa të veta. Sa më përket mua, unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit. Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës!
Akuzat ndaj Salianjit u ngritën fillimisht gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së PD-së, të zhvilluar disa ditë më parë, ku Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Flamur Noka, e akuzoi atë për bashkëpunim me Suel Çelën jo vetëm për organizimin e takimit, por edhe për tentativë manipulimi të pjesëmarrësve me qëllim bojkotimin e tubimeve të Berishës.
Salianji ka nisur takime nëpër Shqipëri së bashku me Ilir Alimehmeti dhe disa nga më të votuarit e Primareve. Lëvizja synon sipas Salianjit, që të bëjë një ringritje të Partisë Demokratike, por edhe një analizë për humbjen e njëpasnjëshme të zgjedhjeve./ZËRI



