Akuzohet për financim të nazistëve ukrainas, Rusia sekuestron asetet e boksierit Usyk

Akuzohet për financim të nazistëve ukrainas, Rusia sekuestron asetet e boksierit Usyk

Dec 17, 2025 | 19:06






























Rusia ka vendosur ta zhvendosë përballjen jashtë ringut. Kampioni botëror në peshat e rënda dhe “cruiser”, Oleksandr Usyk, është shndërruar në protagonistin e një kapitulli të ri të konfliktit, pasi autoritetet ruse kanë konfiskuar asetet e tij në Krime, rajon i aneksuar nga Moska në vitin 2014.

usyk

Arsyeja, sipas autoriteteve ruse, lidhet me financimin e ushtrisë ukrainase. Sipas deklaratave zyrtare, Usyk ka organizuar në mënyrë të përsëritur fushata për mbledhjen e fondeve në ndihmë të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Masa u njoftua këtë të martë nga Vladimir Konstantinov, kryetar i parlamentit të Krimesë të vendosur nga Rusia, i cili bëri të ditur në “Telegram” se lista e pasurive të “nacionalizuara” është zgjeruar duke përfshirë asetet e 84 personave dhe subjekteve të tjera juridike. “Ata gjenerojnë të ardhura në Krime dhe i përdorin për të mbështetur nazistët ukrainas”, ishte mesazhi i shkruar nga Konstantinov, duke përdorur retorikën e zakonshme të Kremlinit.

LIGJI QË LEJON KONFISKIMIN E PASURIVE

Rusia ka konfiskuar gjithashtu pasuri që i përkasin ushtarëve ukrainas që aktualisht luftojnë në front kundër forcave ruse, si dhe aktivistëve që kanë mbledhur fonde, përfshirë asetet e Volodymyr Prisiazhniuk, drejtor i fondacionit “Dialogu i Hapur”.

Po ashtu janë shtetëzuar kompani si “Tavrida Plaza”, grupi “TMM” dhe miniera Zasiadko, mes subjekteve të tjera. “Vazhdojnë përpjekjet për të identifikuar asetet e personave të aftë të dëmtojnë interesat dhe sigurinë e Federatës Ruse dhe Republikës së Krimesë”, deklaroi Konstantinov, duke shtuar se në këtë mënyrë “do t’i jepet fund çdo aktiviteti të drejtuar kundër Rusisë”.

Në fillim të dhjetorit, autoritetet e qytetit federal të Sevastopolit njoftuan se kishin konfiskuar 11 kompani lokale, të cilat, sipas tyre, bashkëpunonin me autoritetet ukrainase.

Në tetor të vitit 2022, Këshilli i Republikës së Krimesë miratoi një ligj që lejon konfiskimin e pasurive të shteteve dhe individëve që i konsideron “jo miqësorë”. Në këtë kuadër, janë konfiskuar edhe prona të personaliteteve të njohura ukrainase, si presidenti Volodymyr Zelenski, ish-kryeministri Arseniy Yatseniuk dhe këngëtarja Jamala.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al



Te lidhura














 












Source link

Scroll to Top