Berat Gjimshiti do të qëndrojë larg fushave të lojës për të paktën tre javët e ardhshme. Ky është informacioni që vjen nga mediat italiane rreth situatës së kapitenit të Kombëtares shqiptare.

Futbollisti u dëmtua në ndeshjen e fundjavës të skuadrës së tij ndaj Kaljarit duke lënë lojën në fillimin e pjesës së dytë pas shqetësimeve në pjesën e mbrapme të kofshës së djathtë. Pas vizitave të rastit është mësuar se ai ka një dëmtim muskulor të shkallës së parë, ndër më të lehtët, por që gjithsesi do ta lërë pushim për thuaje deri në mesin e muajit janar.
Ai do të humbasë ndeshjet ndaj Xhenoas dhe Interit në këtë vit, por edhe ato ndaj Romës e Bolonjës në fillimin e janarit, duke i krijuar jo pak vështirësi Atalantës në përballjet me shumë skuadra të cilat gjenden në zonën e Europës në Serinë A.








