TIRANË- Opozita ka bojkotuar ditën e sotme komisionet, teksa bëhet me dije se deputetët nuk do të marrin pjesë në asnjërin prej tyre. Mësohet se deputetët demokratë janë në të terren, me urdhër të kryedemokratit Sali Berisha, për të mobilizuar bazën për protestën kombëtare të 22 Dhjetorit.
Partia Demokratike do të zhvillojë protestë kombëtare më 22 dhjetor para godinës së Kryeministrisë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Vendimi u lajmërua ditën e djeshme nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së kryesisë. Berisha theksoi se protestat janë strategjia e opozitës kundër qeverisë Rama.
Kjo lëvizje e opozitës vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi masën e sigurisë të vendosur nga Gjykata e Posaçme dhe ktheu në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku./ZËRI



