TIRANË-Buxheti për vitin 2026 u vulos me 81 vota pro dhe 16 kundër nga Kuvendi dhe ajo që ka mbetur tani është prezantimi nëpër Bashkitë e vendit, por për Tiranën situata është ndërlikuar. Kush do e prezanotojë buxhetin e Bashkisë Tiranë, Ogerta Manastirliu e zgjedhur nga vetë kryeministri Edi Rama, si kandidate për kryebashkiake apo vetë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj?
Busheti pritet të dikutohet të enjten në orën 12:00, ku Këshilli Bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë. Por Ogerta Manastirliu ka thirrur këshilltarët bashkiakë të majtë në selinë e Partisë Socialiste për të diskutuar pikërisht buxhetin e kryeqytetit. Ky veprim vjen në një kohë që zyrtarisht Manastirliu nuk mban asnjë funksion drejtues në Bashkinë e Tiranës dhe nuk është zgjedhur nga qytetarët si kryebashkiake.
Por pavarësisht kësaj, deputetja socialiste, e zgjedhur si kandidate për kryebashkiake edhe në takimet e mbajtura me qytetarë të zonave të ndryshme të kryeqytetit ka diskutuar për buxhetin. Në këto kushte sot kryebashkiaku Erion Veliaj ka kërkuar që të mos miratohet asnjë vendim pa konsultim me kreun e bashkisë. Në një letër drejtuar 61 anëtarëve të këshillit bashkiak, Veliaj kërkon që, përpara miratimit të buxhetit të vitit 2026, akti më i rëndësishëm financiar, këshilli duhet të konsultohet me kryetarin e zgjedhur.
Sipas Veliajt, miratimi pa konsultim me kryetarin e zgjedhur nga qytetarët e Tiranës përbën devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe pengim i realizimit të mandatit të tij demokratik.
“Ju drejtohem në cilësinë time kushtetuese dhe ligjore si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, për t’ju kërkuar që, përpara shqyrtimit dhe miratimit, të konsultoni dhe të merrni paraprakisht mendimin dhe vullnetin tim institucional mbi projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026. Më datë 18 dhjetor, këshilli bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026. Ky moment përbën aktin më të rëndësishëm financiar dhe politik të vitit për një bashki, pasi buxheti është instrumenti kryesor për realizimin e mandatit politik të Kryetarit të Bashkisë, mandat i dhënë drejtpërdrejt nga qytetarët e Tiranës. Dëshiroj të rikujtoj se, sipas ligjit nr. 139/12015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, kuadrit ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, si edhe praktikës së konsoliduar të vetëqeverisjes vendore, propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë. Çdo buxhet që miratohet pa konsultim real dhe substancial me Kryetarin e zgjedhur nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, por vetëm një akt formal administrativ, i zhveshur nga legjitimiteti demokratik,’-shkruan Veliaj.
Ogerta Manastirliu u shpall kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës pas vendimit të Këshillit Bashkiak për të propozuar shkarkimin e Erion Veliajt. Kandidatura e propozuar nga kryeministri Edi Rama u miratua edhe nga Këshilli i Ministrave dhe deputetja socialiste filloi takimet me banorët e kryeqytetit si një kryetare e ardhshme. Por Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi procesin e shkarkimit, duke rikthyer Veliajn në detyrë dhe duke shfuqizuar zgjedhjet./ZËRI




