Çështja e shitjes së mundshme të Juventusit vazhdon të jetë një temë diskutimi në Itali, pasi kompania “Tether” është shprehur e gatshme që të blejë aksionet e kuotës kontrolluese që ka familja Anjeli, për të bërë të sajën klubin bardhezi.

Një ofertë e parë prej rreth 1,1 miliard eurosh iu ofrua kompanisë “Exor” që kontrollon këto kuota, por nga ajo erdhi përgjigja e menjëhershme negative. Vetë Xhon Elkan, pinjolli i familjes Anjeli dhe shefi ekzekutiv i “Exor”, deklaroi se Juventusi nuk ishte në shitje dhe do të mbetej pronë e kësaj familje që e zotëron atë prej më shumë se 100 vitesh.
Por sipas “Tuttosport”, kompania “Tether” nuk është tërhequr dhe nëpërmjet shefit ekzekutiv, Paolo Ardoino, po bën gati një tjetër ofertë të përmirësuar për të blerë klubin torinez. Megjithatë, të njëjtat burime theksojnë se cilado qoftë shifra që i ofrohet, familja Anjeli nuk ka ndër mend të ndryshojë mendje pas daljes së fundit publike rreth kësaj teme e për këtë arsye, do të refuzojë çdo shifër që vjen nga “Tether” apo kompani të ngjashme.
PANORAMASPORT.AL








