Pas një takimi sqarues që pati me trajnerin Slot, Mohamed Salah është kthyer te Liverpuli të shtunën në Premier Ligë për ndeshjen e fituar 2-0 ndaj Brajtonit.

33-vjeçari nga Egjipti luajti si zëvendësues nga minuta e 26-të pas dëmtimit të Joe Gomezit, që në minutat e para të ndeshjes. Sfida e së shtunës i takoi javës së 16-të të elitës angleze. Golat e fitores për “të kuqtë” i shënoi Hugo Ekitike, në minutën e parë dhe të 60-të. Salah ishte asistues në golin e dytë.
Me këtë asist, Salah është futur në histori. Ai është bërë lojtari me më shumë kontribute në histori sa i takon elitës së futbollit anglez, me 277 (gola e asiste). Pas fitores 2-0 të Liverpulit ndaj Brajton në ‘Anfield’, egjiptiani publikoi pamje ku shihet duke përshëndetur dhe duartrokitur tifozët rreth e rrotull stadiumit.
Një gjest që u interpretua si falënderim për mbështetjen e tyre pas ditëve të trazuara. Nga ana tjetër, Brajan Gruda luajti në radhët e Brajtonit për 64 minuta. Liverpuli ka 26 pikë, tri më shumë se Brajtoni në mesin e tabelës.
PANORAMASPORT.AL








