TIRANË- Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka njoftuar përfshirjen e Inteligjencës Artificiale në zgjedhjet e 9 nëntorit. Në konferencën me temë “Mbikëqyrja e Digjitalizimit në Proceset Zgjedhore: Drejt Konvergjencës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, Celibashi bëri me dije se për herë të parë, KQZ do të aplikojë numërimin e votave në zgjedhjet e pjessshme me AI. Kryekomisioneri thekson se ky projekt do të shërbejë si test dhe nuk do të zëvendësoje mënyrën e numërimit dhe vlerësimit të votave
“Kemi filluar në versionin eksperimental përdorimin e Inteligjencës Artificiale për kërkimin dhe marrjen e informacioneve zgjedhore nëpërmjet faqes së internetit të KQZ si dhe për të ofruar asistencë dhe krijuar facilitet për administratën zgjedhore, por edhe për subjekte të tjera të përfshira në procesin zgjedhor, mundësi për ta marrë dhe përpunuar këtë informacion, apo aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.
Në 9 nëntor të këtij viti do mbahen zgjedhjet e pjesshme. Stafi i KQZ po punon për të aplikuar për herë të parë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit dhe nxjerrjen e rezultateve. Ky projekt do shërbejë si test dhe për momentin nuk do zëvendësojë mënyrën e numërimit dhe vlerësimit të votave, e cila do mbetet mënyra zyrtare e referimit për këtë aspekt të procesit zgjedhor”, deklaroi Celibashi.
Zgjedhjet e pjesshme lokale do të mbahen më 9 nëntor në 5 bashki të vendit: Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat. Nga këto zgjedhje përjashtohet Bashkia e Tiranës pasi dekreti i Presidentit Bajram Begaj është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Zgjedhjet në kryeqytet do të mbahen pasi të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi ankimimin që Erion Veliaj ka bërë ndaj dekretit të Presidentit Bajram Begaj./ZËRI



