TIRANË- Ish-prokurori Arjan Ndoja, tashmë deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, ka shfaqur pakënaqësi me sjelljen e kolegëve të tij në sallën e Kuvendit. Teksa ka marrë fjalën gjatë seancës së djeshme parlamentare, Ndoja u shpreh se ai nuk do të jetë kurrë një prej deputetëve që do të shfaqet duke i rënë tavolinës.
Duke iu referuar faktit që ka hyrë në Kuvend përmes votës preferenciale, dhe jo si pjesë e listave të mbyllura, Ndoja tha se ai nuk është i detyruar që të bëjë aksione dhe sjellje me regji, si shumica e deputetëve.
Arjan Ndoja: Mua nuk më keni parë t’i bie tavolinave, nuk keni për të më parë ndonjëherë t’i bie tavolinave sepse nuk e kam atë edukatë, nuk e kam atë formim. Ju bëj thirrje, edhe ju zoti Balla, mos e etiketoni të gjithë grupin parlamentar se nuk është e sjellshme. Një pjesë e grupit të PD-së, që është pjesa më e madhe, duan që të zhvillohet seanca parlamentare dhe duan të flasin. Nuk kam asgjë personale, nuk ia zë askujt emrin me gojë se nuk kam qejf që të ma zërë askush emrin me gojë. Nuk e meriton grupi parlamentar i PD-së, aq më tepër që një pjesë prej nesh, 6 prej nesh nuk janë as produkt i listave të mbyllura që të vijnë me kokën ulur këtu dhe të bëjnë veprime me regji.
Niko Peleshi: E vlerësoj shumë fjalën tuaj. Besoj te fjala opozitare e fortë. Jo vetëm unë po kushdo qoftë këtu, nuk e ka për kënaqësi të ndërpresë fjalën e deputetit.



